RMV, ndalesa për lëvizje në pyje është zgjatur deri më 30 shtator

Me kërkesë të Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare”, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave e ka zgjatur ndalimin e lëvizjes në pyje dhe zona pyjore deri më 30 shtator, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret në pyje dhe zjarret në hapësira të hapura, transmeton Portalb.mk.

Ndalimi vlen për territorin që menaxhohet nga ndërmarrja publike, ndërsa lëvizja nëpër zonat pyjore do të lejohet vetëm me leje me shkrim të lëshuar nga njësitë rajonale të “Pyjeve Kombëtare”.

“Për zbatimin e ndalimit janë përgjegjës punonjësit e ‘Pyjeve Kombëtare’, Inspektorati Shtetëror i Pylltarisë dhe Gjuetisë, Policia Pyjore dhe MPB-ja. Për lëvizjen në pyjet-park (p.sh. Vodno) dhe parqet kombëtare, qytetarët duhet të informohen te subjektet juridike që menaxhojnë këto territore”, bëjnë të ditur nga NP “Pyjet Kombëtare”.

Masa fillimisht ishte vendosur më 1 korrik, ndërsa ishte paraparë të zgjaste deri më 31 gusht.