Mickoski mohoi të ketë rrezikuar sigurinë e shtetit me deklaratën se avionët amerikanë përdorin aeroportet tona në operacionet kundër Iranit
“Një konstatim jashtëzakonisht i ngathët, dashakeq dhe jo i saktë”. Kështu kryeministri Hristijan Mickoski e vlerësoi pyetjen që iu parashtrua sot lidhur me deklaratën e tij në një intervistë për portalin amerikan “Breitbart”, në të cilën zbuloi se avionët ushtarakë amerikanë përdorin aeroportet e Maqedonisë në operacionet e lidhura me luftën me Iranin, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri, gjatë pjesës së paraparë për pyetje të gazetarëve në aktivitetin e sotëm në Qeveri, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për projektimin dhe ndërtimin e gazsjellësit interkonektiv ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, u pyet nëse me deklaratën se avionët ushtarakë amerikanë nisen drejt Gjirit Persik, e ka rrezikuar sigurinë e Maqedonisë, duke pasur parasysh se Teherani në disa raste i ka paralajmëruar Bullgarinë për përdorimin e territorit të saj për operacione kundër Iranit.
Mickoski e vlerësoi pyetjen si një konstatim personal të mediumit, ndërsa e cilësoi atë si të ngathët, dashakeq dhe të pasaktë.
“Sa i përket konstatimit tuaj, personal, si medium, se unë e kam rrezikuar sigurinë e shtetit në atë mënyrë që kam thënë në intervistën time për mediumin prestigjioz amerikan ‘Breitbart’ se aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i përdorin aeroportet tona për logjistikë, e hedh poshtë dhe e shpall si një konstatim jashtëzakonisht të ngathët, dashakeq dhe jo të saktë, sepse me anëtarësimin në Aleancën NATO ne kemi detyrimet dhe marrëdhëniet tona së bashku me partnerët tanë strategjikë”, tha Mickoski.
Duke vazhduar përgjigjen, ai tha se në kushtet kur partnerët strategjikë kanë nevojë për mbështetje logjistike, Maqedonia, si shtet, pa dilemë qëndron në krah të partnerëve të saj, pasi, siç shtoi, këto janë edhe interesa tona strategjike.
“Kështu që, në emrin tim, u kërkoj falje partnerëve tanë strategjikë për këtë lloj konstatimi të mediumit tuaj”, shtoi Mickoski.
Kryeministri, në intervistën për portalin amerikan të krahut të djathtë “Breitbart”, zbuloi se avionët ushtarakë amerikanë të angazhuar në operacionet e lidhura me luftën me Iranin, çdo ditë ulen dhe ngrihen nga aeroportet maqedonase, ndërsa disa prej tyre qëndrojnë aty para se të vazhdojnë sërish drejt Gjirit Persik.
Në intervistë nuk specifikohet se për cilat lloje avionësh ushtarakë amerikanë bëhet fjalë dhe as në cilat aeroporte maqedonase ulen. Gjithashtu, nuk bëhet e ditur nëse gjatë qëndrimit në vend bëhet furnizimi me karburant apo ndonjë lloj tjetër mbështetjeje logjistike.
Mickoski në bisedë konkretisht foli për “parkim” dhe “pushim”, pas së cilës, sipas tij, avionët vazhdojnë përsëri drejt Gjirit Persik.
“Forcat ajrore amerikane i përdorin aeroportet tona, kështu që çdo ditë avionët e forcave ajrore amerikane ulen dhe ngrihen nga aeroportet tona. Disa prej tyre i përdorin aeroportet tona për parkim, për pak pushim dhe më pas përsëri nisen drejt Gjirit”, tha Mickoski.
Sipas kryeministrit, në intervistën për “Breitbart”, hapësira ajrore maqedonase është e hapur për avionët ushtarakë amerikanë dhe vendi është i gatshëm të vazhdojë me këtë lloj mbështetjeje.
Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit, Teherani zyrtar i ka dërguar paralajmërim Bullgarisë që të mos lejojë përdorimin e territorit të saj për operacione ushtarake amerikane ose izraelite kundër Iranit, duke theksuar se ruan të drejtën të përgjigjet me sulm ndaj burimit të agresionit eventual.
Siç raportuan mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghei, deklaroi se Irani nuk ka problem me popullin bullgar, por se çdo mbështetje për operacionet ushtarake amerikano-izraelite kundër vendit mund të konsiderohet si pjesëmarrje në agresion.
Baghei tha se vendet nuk kanë arsye të shqetësohen nga Irani, përveç në rast se lejojnë që territoret dhe bazat e tyre ushtarake të përdoren për sulme ndaj Iranit.
Ai theksoi se Irani ruan të drejtën të sulmojë vendin nga i cili do të vinte një sulm eventual, duke shtuar se Teherani është i gatshëm të mbrojë territorin dhe interesat e tij.