Në pesë vjet janë regjistruar 2.197 raste të reja me kancer të prostatës në RMV, rritet edhe vdekshmëria
Brenda pesë viteve, te burrat janë regjistruar gjithsej 2.197 raste të kancerit të prostatës, ndërsa vetëm në vitin 2023 janë evidentuar 517 raste, tregojnë të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), transmeton Portalb.mk.
Numri i rasteve të reja të kancerit të prostatës në Maqedoninë e Veriut shënon rritje krahasuar me vitin 2019. Të dhënat janë publikuar me rastin e muajit nëntor, i cili i kushtohet shëndetit të burrave.
Në vitin 2023 janë regjistruar 517 raste të reja të kësaj sëmundjeje malinje, krahasuar me 452 raste në vitin 2019, që paraqet një rritje prej rreth 14 përqind. Njëkohësisht, po rritet edhe numri i vdekjeve. Në vitin 2025, nga kanceri i prostatës kanë vdekur 228 persona.
Shqetësuese janë edhe të dhënat për vdekshmërinë nga kjo sëmundje. Në vitin 2021 nga kanceri i prostatës kanë vdekur 207 persona, në vitin 2022 gjithsej 215, ndërsa në vitin 2023 janë regjistruar 204 vdekje. Në vitin 2024 numri i të vdekurve është rritur në 226, ndërsa në vitin 2025 ka arritur në 228, që është shifra më e lartë në pesë vitet e fundit për të cilat ISHP-ja publikon të dhëna. Kjo do të thotë se numri i vdekjeve nga kanceri i prostatës në vitin 2025 është rreth 10 përqind më i lartë krahasuar me vitin 2021.
Në ISHP rikujtojnë se kanceri i prostatës është një nga sëmundjet më të rëndësishme malinje te popullata e meshkujve. Rreziku për t’u prekur nga kjo sëmundje rritet me moshën, ndërsa vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet burrave që kanë histori familjare të kësaj sëmundjeje. Nga atje theksojnë se një problem shtesë është fakti që kanceri i prostatës në fazat e hershme mund të zhvillohet pa simptoma të theksuara, prandaj zbulimi në kohë ka rëndësi të veçantë. ISHP-ja thekson nevojën për konsultime të rregullta me mjekun amë dhe vlerësim individual nga specialisti për nevojën e ekzaminimeve shtesë.
Përveç kancerit të prostatës, të dhënat tregojnë rritje edhe të numrit të rasteve të reja me kancer të testikujve, krahasuar me vitin 2019. Atë vit ishin regjistruar 33 raste, ndërsa në vitin 2023 numri i tyre arriti në 53. Numri më i madh i rasteve është evidentuar në vitin 2022, gjithsej 63. Në vitin 2025, nga kanceri i testikujve kanë vdekur pesë persona.
Kanceri i testikujve, ndonëse është sëmundje malinje më e rrallë krahasuar me kancerin e prostatës, prek veçanërisht burrat e rinj. Shfaqja e një kokrre, zmadhimi i testikujve, ndjenja e rëndesës ose ndryshimi i madhësisë dhe formës së tyre janë shenja që kërkojnë kontroll mjekësor.
Me rastin e muajit Movember, ISHP-ja u bën thirrje burrave që të mos presin shfaqjen e problemeve serioze shëndetësore për të kërkuar ndihmë mjekësore. Nga Instituti theksojnë se kujdesi për shëndetin e burrave nuk nënkupton vetëm zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje, por edhe kujdesin për shëndetin mendor, aktivitetin e rregullt fizik, ushqimin e shëndetshëm dhe kontrollet parandaluese. Theks i veçantë i kushtohet edhe tejkalimit të paragjykimeve, për shkak të të cilave një pjesë e burrave shmangin kërkimin e ndihmës profesionale.