RMV, mbi 4 mijë vdekje nga ajri i ndotur, Eco Guerilla: kambanë alarmi për autoritetet që nuk veprojnë

Тë dhënat e fundit të Insititutit për Shëndet Publik thonë se 20% e vdekjeve apo mbi 4 mijë vdekje në vit në Maqedoninë e Veriut janë si pasojë e ndotjes së ajrit. Kjo, sipas Eco Guerillës, “duhet të shërbejë si një kambanë alarmi se është koha e fundit për të vepruar”, shkruan Portalb.mk

Niveli i ndotjes së ajrit në Maqedoninë e Veriut gjatë muajve të dimrit është i madh dhe vitin që shkoi, pushteti qëndror dhe ato lokale akuzonin njëri-tjetrin për atë se kush duhet të marrë përgjegjësi. Përveç qytetit të Shkupit, i cili në korrik dha subvencione prej 20 mijë denarëve për blerje të inverterëve, komunat tjera janë “përballur” me këtë problem duke dhënë rekomandime për qytetarët.

“Për fat të keq, autoritetet qoftë në nivel lokal apo qendror, në vend që të merren fillimisht me parandalimin e shkaqeve të ndotjes së ajrit, ata japin rekomandime për mbrojtje nga pasojat. Ata për këto dështime fajsojnë njëra tjetrën, ndërsa pasojat i bartin qytetarët”, thotë Ngadhnjim Mehmeti nga Eco Guerilla.

Ndotësit më të rrezikshëm nuk janë ata që shihen me sy, si pluhuri dhe tymi, po grimcat e ashtuquajtura PM (particulate matter), të cilat janë aq të vogla sa mund të depërtojnë në trup. Grimcat PM-10 shkaktojnë irritim të syve, fytit dhe hundëve, kurse niveli i lartë i tyre është i rrezikshëm për personat e ndjeshëm, pasiqë përkeqëson frymëmarrjen te personat me astmë dhe rrit rrezikun e sulmit në zemër për personat që kanë probleme me shtypjen ose diabetin. Grimcat PM-2.5 janë më të rrezikshme, pasiqë mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe në gjak dhe rrjedhimisht niveli i lartë i tyre dëmton mushkëritë dhe zemrën.

Sa për ilustrim, vetëm më 5 janar Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) dha alarmin se niveli i grimcave PM-10Manastir veçse e ka kaluar kufirin e lejuar, kurse në Gostivar dhe Kërçovë është në prag. Në Strugë, niveli i grimcave PM-2.5  është katër herë mbi vlerën e lejuar, kurse në Shkup afër 3 herë më i madh. Në Tetovë ka dyfish më shumë grimca PM-2.5 se niveli i rekomanduar.

Ngadhnjim Mehmeti thotë se rritja e nivelit të ndotjes në këtë periudhë është e paevitueshme sidomos për zonën e Pollogut, për shkak të relievit.

“Me ardhjen e muajve të dimrit ndodh edhe inverzioni i ajrit, domethënë ndryshimi i presionit të ajrit në atmosferë. Prandaj edhe rritja e nivelit të ndotjes është e paevitueshme në fushgropën e Pollogut” tha Mehmeti.

Mirëpo, shtoi ai, për një ndotje kaq të madhe ndikojnë më shumë faktorë.

“Për dallim nga e kaluara kur faktori kryesor ishte industria dhe niveli i ndotjes ishte pesë ose gjashtëfish më i lartë, sot vazhdon të mbetet problem mënyra e ngrohjes, trafiku i dendur, posaçërsiht dyfishimi i automjeteve me ardhjen e mërgimtarëve, ndërtimet dhe mbindërtimet e pakontrolluara, zhdukja e hapësirave të gjelbra publike, mospastrimi me ujë me cisterna i rrugëve nga pluhuri i akumuluar me vite, etj.”, tha ai për Portalb.mk.

Sipas raportit të fundit të kompanisë zvicerane IQAir, të gjitha stacionet për matjen e ajrin në RMV treguan shifra më të larta të nivelit të ndotjes në muajin dhjetor. Këtë e konfirmoi edhe Eco Guerilla, e cila deklaroi se muaji dhjetor ishte me mesataren e PM-10 më të lartë gjatë vitit dhe duhet të merren masa serioze.

“Masat që do e ulnin dukshëm nivelin e ndotjes është gasifikimi me çka do zëvendësoheshte ngrohja e një numri të madh të amvisërive, objekteve publike dhe afariste, rritja e standardit dhe mënyra e jetesës poashtu kanë ndikim të konsiderueshëm”, shkruan Mehmeti.

Mirëpo, mbrojtja e mjedisit jetësor në vitin 2023 nuk ishte ndër prioritetet kryesore të politikanëve në Maqedoninë e Veriut. Tradicionalisht, edhe në 12 muajt e fundit, u përsëritën problemet dhjetëvjeçare me mungesën e financave, kapaciteteve në institucione dhe projekteve konkrete që japin rezultate të dukshme.