Tetovarët çdo ditë helmohen (Infografik)

Tetova ka ajër aq të ndotur sa është pothuajse i rrezikshëm për të gjithë njerëzit, jo vetëm për grupet e ndjeshme, kështu thonë të dhënat e kompanisë zvicerane IQAir, shkruan Portalb.mk.

Të dhënat e fundit të IQAir, kompani zvicerane e teknologjisë së kualitetit të ajrit në gjithë botën, tregojnë se prej 18 dhjetorit, kualiteti i ajrit në Tetovë jo vetëm që ka qenë i rrezikshëm për grupet e njerëzve që janë të ndjeshëm, por ka qenë shumë pak ndër nivelin ku bëhet i rrezikshëm për të gjithë.

infografik
Infografik: Niveli i ndotjes së ajrit në Tetovë

Dallim bëjnë vetëm dy data, 19 dhjetori ku ajri ka qenë shumë mbi nivelin e ndotjes, që do të thotë se ka qenë i rrezikshëm për të gjithë, dhe 23 dhjetori ku ndotja ka rënë në nivel mesatar, që me shumë gjasa është për shkak të 4 ditëve shi dhe një dite erë që ka pasur ajo javë.

Tetovë është regjistruar grimca kryesore që përbën ajrin e ndotur, PM2.5, e cila është më shumë se dyfishi i masës që rekomandon Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Në këtë nivel, këshillohet të mbyllen dyert dhe dritaret për të parandaluar hyrjen e më shumë ajrit të ndotur në dhomë. Ata që janë të ndjeshëm këshillohen të qëndrojnë brenda ose nëse udhëtimi jashtë është i pashmangshëm, atëherë rekomandohet një maskë e cilësisë së mirë” shkruan IQAir.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, efektet e kombinuara të ndotjes së ajrit në ambient të hapur dhe ndotjes së ajrit në ambiente të mbyllura shoqërohen me 7 milionë vdekje të parakohshme në vit.

Komuna e Tetovës deri tani nuk ka marrë masa për këtë problem e as në planifikimin e buxhetit për vitin 2024 nuk kishte ndonjë aktivitet të planifikuar për të ulur nivelin e ndotjes. Të pyetur nga Portalb.mk se a do të realizohet të paktën subvencionimi i inverterëve dhe panelëve solarë, siç është premtuar në programën 2021-2025, sektorët e Komunës deklaruan se nuk janë në dijeni të ndonjë projekti të këtillë dhe se nëse do të ndërmerrej ndonjë gjë, patjetër të planifikohet në buxhetin e komunës.

Nga ana tjetër Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) insistoi se me këtë çështje duhet të merret secila komunë për territorin e vet.

“Ka masa që duhet të ndërmerren, si riorganizimi i komunikacionit, riorganizimi i orarit të punës… Pra ka më shumë masa që duhet të zbatohen në kuadër të buxhetit të tyre”, tha më 27 dhjetor Shukova, ministre e MMJPH.

Rikujtojmë se ky problem përsëritet për Tetovën nuk është i ri, duke qenë se të njëjtat debate janë zhvilluar edhe në vitet paraprake.