Ajri toksik po na vret, shteti nuk bën asgjë për ta zvogëluar përdorimin e naftës dhe mazutit në institucionet publike

Më shumë se 740 objekte publike në mbarë vendin vazhdojnë të ngrohen me mazut ose naftë. Spitale, shkolla, kopshte, salla sporti, burgje, institucione kulturore… bëjnë pjesë në listën e gjatë të ndotësve të cilët përdorin lëndë djegëse fosile dhe kontribuojnë në ndotjen e ajrit. Jo shumë kohë më parë u azhurnua lista dhe harta e krijuar nga iniciativa qytetare “Shans për Qendrën” dhe në të u shtuan objekte të reja shtetërore dhe komunale të cilat ngrohen në mënyrë joekologjike, shkruan Meta.mk.

Sipas të dhënave të publikuara gjatë samitit botëror të klimës që u mbajt në Dubai, ajri toksik, rezultat i drejtpërdrejtë i përdorimit të lëndëve djegëse fosile, vret më shumë se pesë milionë njerëz në mbarë botën. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, vlerësohet se në vendin tonë çdo vit vdesin rreth 4.000 njerëz si pasojë e drejtpërdrejtë e ajrit të ndotur. Problemi me të cilin përballet pothuajse çdo mjedis urban në vend ka rrënjë të thella. Vendndodhja gjeografike dhe kushtet natyrore kanë një kontribut të caktuar, por shkaqet e vërteta të ndotjes tejet të madhe të ajrit janë tek njeriu dhe aktivitetet e tij.

Maqedonia e Veriut ka një numër të madh të institucioneve publike që për ngrohje çdo dimër përdorin me mijëra litra naftë dhe mazut. Në mesin e tyre ka edhe spitale të mëdha, të cilat duhet të kujdesen më së shumti për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ndryshimi i mënyrës së ngrohjes së objekteve shtetërore dhe komunale është një iniciativë që ekziston prej disa vitesh, por që fatkeqësisht po realizohet me hapa të ngadaltë.

Harta e “Shans për Qendrën” tregon se pothuajse çdo zonë urbane ka objekte publike që ngrohen me naftë ose me mazut. Nga atje thonë se lista vazhdimisht përditësohet dhe plotësohet me objekte të reja, ndërsa përditësimi i fundit është bërë vetëm pak kohë më parë.

Ata theksojnë se problemi është se assesi nuk mund të fillojnë të bëjnë një listë të objekteve që kanë e ndryshuar këtë praktikë dhe kanë investuar në sisteme ekologjike, sepse numri i tyre është shumë i vogël.

Harta që e kemi bërë në bazë të të dhënave nga prokurimet publike të institucioneve është bërë me qëllim që ne të mund të shohim se sa institucione të tilla ka në të gjithë vendin, sa energji konsumojnë dhe ku janë të pozicionuara. Për fat të keq rezultoi se për momentin në mbarë vendin ekzistojnë rreth 740 objekte të tilla, mbi 100 prej të cilave janë vetëm në Shkup. Themi për momentin, sepse ende ndodh që të gjejmë ndonjë objekt të ri që për ngrohje përdor naftë, naftë ose dru zjarri dhe ta shtojmë atë në hartë, thotë Jane Dimeski, këshilltar në “Shans për Qendrën”.

Ai thekson se hartën e institucioneve ndotëse e përditësojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe se numri i këtyre institucioneve është në rritje të vazhdueshme. Dimeski thekson se në periudhën pas vitit 2020 nuk kanë identifikuar asnjë objekt që e ka ndryshuar mënyrën e ngrohjes.

Në hartë mund të shihen vendndodhjet e sakta të këtyre institucioneve publike, të cilat ndodhen kryesisht në qendrat urbane dhe gjenden pothuajse në çdo qytet. Përqendrimi në Shkup është më i madh, ka mbi njëqind, kurse në Manastir ka mbi 40 objekte të tilla, disa prej atyre që përdorin mazut janë madje mu në qendër të qytetit.

Praktikisht, këta ndotës formojnë grupime që “tymosin” bashkërisht dhe e ndotin ajrin kudo me çka bashkë me amvisëritë, industrinë dhe deponitë, kontribuojnë seriozisht në ndotjen e ajrit. Përllogaritjet fillestare na tregojnë se një institucion i madh, siç është spitali, për ngrohje harxhon energji sa disa dhjetëra amvisëri dhe është logjike që ndot shumë herë më shumë. Për këtë arsye ne besojmë se institucionet publike duhet të jenë prioritet në përballjen me ndotjen dhe se urgjentisht duhet të ndryshohet mënyra e ngrohjes së të gjithë atyre objekteve që përdorin naftë dhe veçanërisht mazut. Për shembull, është e palejueshme që të ketë shtatë spitale të mëdha që ngrohen me mazut, thotë Dimeski.

Ai pyet se si është e mundur që në Shkup një numër kaq i madh i institucioneve publike deri më tani të kenë mbetur jashtë sistemit të ngrohjes qendrore dhe thotë se nuk ka dëgjuar për ndonjë iniciativë për kyçjen e tyre, edhe pse kjo gjë do të zgjidhte një pjesë të madhe të problemit.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se nuk kanë numër të saktë të institucioneve që ngrohen me lëndë djegëse fosile. Në evidencën e tyre janë regjistruar vetëm institucionet që iu përgjigjën kërkesës së tyre dhe u dërguan të dhëna për mënyrën e ngrohjes që përdorin, por konfirmojnë se një numër i konsiderueshëm ende përdorin naftë për ngrohje, mazut përdoret vetëm në një numër të caktuar të institucioneve shëndetësore, ndërsa druri përdoret shumë më rrallë. Disa objekte ngrohen me gaz natyror përmes rrjetit të ujit të ngrohtë të qytetit ose me sistemet e tyre të ngrohjes, ndërsa ka disa, jo në numër të madh, që si lëndë djegëse i përdorin peletat.

Nga Ministria thonë se në vitet e fundit ka disa objekte në të cilat është ndryshuar tërësisht mënyra e ngrohjes dhe është zëvendësuar me një mënyrë të re të ngrohjes, ekologjike, siç është Spitali Special i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës “Nënë Tereza” në Shkup, i cili tani ngrohet me gaz të lëngët. Me realizimin e Planit për Ajër të Pastër 2018-2020, kopshti i fëmijëve “Prolet” në Karposh filloi me përdorimin e një sistemi ekologjik të ngrohjes dhe ftohjes me pompa termike që punojnë në sistemin “ajër-ujë”, shkolla fillore “Sh. Kliment Ohridski” në Butel kaloi në gaz, katër kopshte të fëmijëve nga komuna e Kisella Vodës, Aerodromit, Strumicës dhe Kavadarit u bënë me sisteme të reja të ngrohjes, si dhe pesë shkolla fillore në Tetovë, Mogillë dhe Kavadar dhe dy objekte të Komunës së Strumicës. Shkolla e mesme QSHEM “8 Shtatori” e Shkupit, e cila për ngrohje siguron edhe nga 24 mijë litra naftë, në tetor të vitit të kaluar shpalli tender për kyçje në sistemin qendror të ngrohjes së qytetit.

Nga Ministria bëjnë me dije se në zhvillim e sipër është projekti për përmirësimin e efikasitetit energjetik në sektorin publik me një fond të përgjithshëm prej 25 milionë eurosh, i cili parasheh investime për efikasitet energjetik në objektet nën juridiksionin e komunave dhe të pushtetit qendror.

Po ashtu në zhvillim e sipër është edhe projekti EU for Clean Air (BE për ajër të pastër) me një vlerë prej 10 milionë euro nga fondet IPA, qëllimi i të cilit është zvogëlimi i ndotjes së ajrit dhe zvogëlimi i rreziqeve për shëndetin e njerëzve. Ai do të zbatohet në katër qytete të mëdha Shkup, Manastir, Kumanovë dhe Tetovë me projekte për zvogëlimin e emetimeve të PM2.5 dhe PM10. Një nga rezultatet e pritshme të këtij projekti është ulja e ndotjes nga sistemet e ngrohjes në ndërtesat publike, nëpërmjet zëvendësimit të kaldajave të vjetruara dhe joefikase në 70 ndërtesa publike në këto qytete, thonë nga Ministria.

Nga atje vlerësojnë se duke pasur parasysh se zëvendësimi i një sistemi ngrohjeje me një tjetër është një proces i gjatë me disa faza dhe numri i objekteve është i madh, nevojitet që çdo vit të caktohen prioritete dhe të zgjidhen institucionet ku do të kryhet zëvendësimi.

“Në këtë proces është e nevojshme të marrin pjesë të gjitha organet e administratës shtetërore si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, në juridiksionin e të cilave janë objektet në të cilat duhet të kryhet zëvendësimi i sistemeve të ngrohjes, që do të bënin një program me një kornizë kohore në të cilën do të përfshiheshin projektet, do të bëhej vlerësimi i burimeve të nevojshme financiare, sigurimi i tyre dhe realizimi i projekteve “, thonë nga Ministria.

Rikujtojmë se mbrojtja e mjedisit jetësor në vitin 2023 nuk ishte ndër prioritetet kryesore të politikanëve në Maqedoni. Tradicionalisht, edhe në 12 muajt e fundit, u përsëritën problemet dhjetëvjeçare me mungesën e financave, kapaciteteve në institucione dhe projekteve konkrete që japin rezultate të dukshme. Niveli i ndotjes në Shkup dhe Tetovë muajin e fundit ka qenë vazhdimisht pothuajse në parg të alarmit.