RMV, ajri gjithnjë e më i ndotur, inspektorë për mjedisin gjithnjë e më pak

Rregullorja për lëndët djegëse të ngurta të hiqet nga sirtari dhe të miratohet, sepse me të do të duhet të rregullohet se çfarë drurësh dhe peleta djegin amvisëritë dhe kompanitë në Maqedoninë e Veriut, apeloi  drejtori i Inspektoratit Shtetëror i Mjedisit, Sreten Stojkovski, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ai informoi se në ditët e para të vitit 2024, objektet më të mëdha industriale të cilat kontrollohen nga Inspektorati nuk funksionojnë ose janë me kapacitet të përgjysmuar, por shihet qartë se ajri është ende shumë i ndotur, ndërsa në Shkup dhe Strumicë vlerat e grimcave PM-10 kanë tejkaluar pragun e alarmimit. Kontrolle të rregullta duhet të bëhen nga Qyteti i Shkupit dhe komunat që janë përgjegjëse për instalimet e lejeve të integruara B, por edhe për dhënien e lejeve për ndërtimin e objekteve të cilat duhet ta kenë kujdes  përqindjen e gjelbërimit në çdo parcelë, gjë që padyshim nuk respektohet.

“Të gjithë duhet ta bëjnë pjesën e tyre në uljen e ndotjes. Ndotësit më të mëdhenj janë amvisëritë, sektori i ndërtimit, trafiku dhe industria, ndaj vetëdija duhet të funksionojë te të gjithë”, tha Stojkovski.

Edhe këtë vit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor nuk mund ta kalojë pengesën më të madhe , personelin e dobët. Aktualisht aty punojnë vetëm 24 inspektorë, 16 prej të cilëve janë disa vite larg daljes në pension. Reajone të tëra ku ka vetëm një inspektor do të mbesin pa mbikëqyrje, si për shembull në Strumicë ku inspektori tashmë i ka plotësuar kushtet për pension, ose në Manastir dhe Probishtip ku mund të dalin në pension vitin e ardhshëm.

Kërkesa për punësimin e pesë punëtorëve të rinj këtë vit nuk është aprovuar nga Ministria e Financave, ndërsa buxheti për vitin 2024, edhe pse janë kërkuar 44 milionë denarë, është edhe më i ulët se ai për vitin 2023. Buxheti për shfrytëzimin e një laboratori të akredituar është 600.000 denarë për gjatë gjithë vitit dhe për të gjitha testet e ajrit, ujit dhe mbeturinave, kështu që për mbikëqyrjet zakonisht i marrin parasysh testet e dorëzuara nga kompanitë nga laboratorë të akredituar me të cilët bashkëpunojnë.

“Një inspektor i ujit është larguar, një u lëndua, kështu që shteti ka kohë që funksionon pa asnjë inspektor të ujit. Shpresonim që me buxhetin që kërkuam do të kishim mundësi të punësonim të paktën tre persona të rinj dhe të blinim të paktën dy automjete për në teren për të vizituar hidrocentralet e vogla, jo të kërkojmë nga kompanitë që duhet t’i kontrollojmë , por morëm vetëm 35,7 milionë denarë, kështu që ndoshta do të kemi vetëm të marrim një inspektor të ri”, tha Stojkovski.

Ai informoi për inspektimet që janë bërë javën e fundit në ndotësit më të mëdhenj të mundshëm të ajrit.

Është konstatuar se çimentoja “Usje” punon me kapacitet të reduktuar, gjegjësisht me vetëm një furrë, “Makstil” nuk punon që nga 31 dhjetori, si dhe shumica e objekteve industriale në kuadër të hekurishtes.

Janë kontrolluar edhe TE-TO dhe oxhaku i furrës për mbeturina mjekësore në “Drislla”, si dhe disa objekte në Strumicë, ku është tejkaluar edhe pragu i alarmimit. Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit kanë konstatuar se dy garazhet e JSP Shkup në Autokomandë dhe në Gjorçe Petrov kanë dy vjet që ngrohen me naftë, ndonëse vite më parë kanë përdorur gaz.

Muajin e kaluar, inspektorati shtetëror ka paraqitur kallëzim penal edhe kundër “Recycle eco start” dhe “Status”, në lidhje me ankesën për deponimin e mbeturinave të rrezikshme të baterive në Komunën e Gjorçe Petrovit. Drejtori Stojkovski informoi se i gjithë dokumentacioni kundër dy kompanive është kompletuar dhe është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, ndërsa vepra për të cilën dyshohen kompanitë është rrezikimi i mjedisit dhe natyrës me mbeturina.