RMV, kush duhet të marrë masa kundër ndotjes së ajrit?

Nga pushteti qendror në drejtim të atij lokal dhe anasjelltas. Kështu këto ditë po qarkullojnë akuzat mes institucioneve në nivel qendror dhe lokal për atë se kush duhet të marrë masa për t’u përballë me shkallën e lartë të ndotjes së ajrit në qytetet e Maqedonisë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, në një prononcim në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma, informoi se asnjë komunë në vend deri më tani nuk ka dorëzuar pranë Ministrisë së Mjedisit Jetësor plan veprimi afatshkurtër, i cili do të ishte në funksion të marrjes së masave për uljen e ndotjes së ajrit gjatë tejkalimit të vlerave kufitare të lejuara.

Shukova drejtoi gishtin kah komunat, duke theksuar se ato duhet të marrin masa konkrete gjatë periudhave kur tejkalohen vlerat kufitare të substancave ndotëse në ajër.

“Ka masa që duhet të ndërmerren, si riorganizimi i komunikacionit, riorganizimi i orarit të punës… Pra ka më shumë masa që duhet të zbatohen në kuadër të buxhetit të tyre”, tha ministrja Shukova.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, dje nga Tetova në pyetjen e gazetarit nëse do të merren masa shtesë për shkak të intensifikimit të ndotjes së ajrit dhe problemeve me personat me sëmundje respiratore, u përgjigj se do të merren masa më të rrepta për duhanpirësit.

“Sot në kolegjiumin e rregullt të së hënës biseduam me shërbimet e Ministrisë. Në vitin e ardhshëm 2024 do të ketë masa rigoroze për pirjen e duhanit, ndërsa u nënshkrua një protokoll me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Tani, le të mendohen se çfarë të bëjnë më tutje”, tha dje ministri Mexhiti.

Nga LSDM-ja, e cila është opozitë në Këshillin e Qytetit të Shkupit, sot në një konferencë për mediat thanë se në seancën e nesërme komunale do të propozojnë ndryshime në buxhetin e qytetit për vitin 2024, sepse shumica qeverisëse e VMRO-DPMNE-së në këshillin e qytetit nuk ka bërë asgjë, me qëllim që të tentohet të ndikohet në përmirësimin e gjendjes dhe disa aspekte të rëndësishme për Qytetin e Shkupit.

Ljubica Jançeva, koordinatore e grupit të këshilltarëve të LSDM-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, sot tha se pushteti lokal i VMRO-DPMNE-së në kryeqytet nuk ka ndërmarrë asgjë për zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit.

“DPMNE ka shumicën në Këshillin e Qytetit të Shkupit, drejton ndërmarrjet publike, ka mbi 500 anëtarë në Këshillat drejtues dhe ekzekutiv. Nuk ka masa as për uljen e ndotjes aktuale, nuk realizohen projekte ekologjike, nuk ka zgjidhje për përballje me ndotjen në Shkup”, tha Ljubica Jançeva.

Nga VMRO-DPMNE-ja, e cila është në pushtet në shumicën e komunave në territorin e vendit, ditëve të fundit nuk ka pasur vullnet për të komentuar për problemin e ndotjes së ajrit. Edhe pse kjo parti disa herë në ditë dërgon njoftime për mediat për tema të ndryshme, ndotja e ajrit nuk gjendet në mesin e temave të njoftimeve të kësaj partie.

Sa për përkujtim, ndotja e ajrit ditëve të fundit ka qenë problem i madh për qytetarët, si në Shkup ashtu edhe në qytetet e tjera. Kështu, për të dytën ditë radhazi ndotje enorme është matur në Komunën e  Aerodromit në Shkup në stacionin matës Lisiçe. Pragu i alarmit për grimcat PM-10 duhet të aktivizohet nëse në dy ditë radhazi tejkalohet vlera prej 150 mikrogramë për metër kub. Stacioni matës në Lisiçe për momentin i plotëson këto kritere.

Ditëve të fundit ndotje tejet e madhe është regjistruar në Strumicë, ku është aktivizuar pragu i alarmit për shkak të pranisë së grimcave PM-10. Për momentin, pa prag alarmimi janë qytetet Manastir, Prilep, Tetovë, Kavadar, ku ditëve të fundit qytetarët thithin ajër me substanca ndotëse që janë mbi përqendrimin maksimal të lejuar prej 50 mikrogramë për metër kub për grimcat PM-10 dhe 25 mikrogramë për metër kub në grimcat PM-2.5.

Shkupi për disa ditë me radhë ndodhej në listën e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë, treguan të dhënat nga internet-portali “IQAir”.

Sipas matjeve të kryera në orën 12 në mesditë, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut me 24 dhjetor gjendej në vendin e gjashtë, për ajrin e ndotur. Me indeks të ndotjes prej 173, ajri është vlerësuar si “jo i shëndetshëm” dhe thuajse 20 herë e ka tejkaluar kufirin të cilin e rekomandon Organizata Botërore e Shëndetit.

Ndotësi kryesor janë grimcat PM 2,5, koncetrimet e të cilave sipas “IQAir” arrijnë në 99 mikrogramë në metër katror.