“Në sytë e tu diç ka” edhe një libër me poezi nga Shtëpia Botuese “Ajan”

Shtëpia Botuese “Ajan” nga Tetova ka botuar librin me poezi “Në sytë e tu diç ka” nga drejtuesi i saj, poeti dhe përkthyesi Agron Islami. Ai njihet më shumë për përkthimet që ka bërë, ky është libri i tij i parë në poezi, njofton Portalb.mk.

Në sytë e tu diç ka
Në sytë e tu diç ka

‘’Ajan Books’’ shquhet për përkthimet e Rumit, Kabanit, Darvishit, Xhibranit dhe jo vetëm.

Libra të cilët patën bujën e vet, sidomos mes adhuruesve të poezisë mistike. Edhe pse poezia ngelet nga zhanret që shumë pak kërkohen, e sidomos të blihet, këto libra kanë ecur mirë në treg, duke ngjallur kërshëri në Kosove e Shqipëri. Ato madje janë komentuar e vlerësuar nga njerëz kompetentë të letërsisë duke i cilësuar si përkthime të denja. Librat për të cilët po flasim janë “Stinët e dashurisë” – Gibran, Madi, “Sikur zëri yt të përqafohej”, Rumi, “AI, ajo dhe dashuria” , Darvishi dhe Kabani, këto, poezi të përzgjedhura dhe të përkthyera nga Agron Islami, ndërsa me përkthimin e Elmaz Fidës është botuar nga po e njëjta shtëpi botuese edhe “Bien gra në vend të borës”.

Agron Islami e ka sprovuar veten në prozë, ndërsa për librin e tij të parë me poezi thotë: ‘’Në sytë e tu diç ka” është libri im i dytë, por i parë në zhanrin poetik. Ai vjen pas një krijimtarie disa vjeçare dhe një sërë librash të përkthyer nga letërsia dhe mendimi botëror. Ky libër të thotë diçka mbi jetën, vdekjen, njeriun, shpirtin, romancën, artin, dashurinë, zemrën, dhembjen e nostalgjinë të cilat e kanë përndjekur gjithmonë njeriun.

Libri në fjalë është komentuar e vlerësuar nga njohës të letërsisë, ku mes tjerash edhe nga emrat në vazhdim, të cilët kanë shprehur mendimin:

“Në sytë e tu diç ka” është një përmbledhje poetike me plot të papritura të këndshme për lexuesin e lodhur nga tokësorja që na mundon e na mban lidhur prej kohësh, sepse poezitë e këtij vëllimi rreken të jenë shpirtërore, të ajërta, madje qiellore. Vargjet e tyre duket sikur synojnë ta rikthejnë komunikimin e humbur të qenies njerëzore me shpirtin e vet, të shpjegojnë në një estetikë herë të thjeshtë e herë mistike misterin e jetës dhe vijimësinë e saj përtej vdekjes. Madje në ato vargje, vdekja as që ekziston, ndërsa jeta shtrihet në mënyrë harmonike porsi deti drejt një horizonti qiellor që nuk e njeh fundin. Të gjitha këto motive, të lëna në harresë prej shekullit të materializmit, ringjallen hijshëm në poezinë e Agron Islamit që si për nga forma, ashtu edhe për nga përmbajtja, duket se nuk i përket lëndës, por e mbart lexuesin drejt frymës”, thoë Edvin Cami përkthyes, studiues nga Tirana.

“Ngjan sikur Agron Islami nëpëmjet këtij vëllimi poetik kërkon të ndezë në mendjen tonë një shkëndi shprese për dashninë e çlirët, që kur vjen, rrin gjithë me ne, në ne. Në këtë zhurmë jetësore që të merr përpara, poezia e Agronit vjen si një oaz qetie, ku lexuesi e zgjedhë si një vend me u ulë e me marrë dozën që i duhet të romantikës, mistikës dhe aventurës. Me një gjuhë të thjeshtë, metafora e Agronit na hedh në prehnin e dashnisë si vendi më i sigurtë për të qenë vetja. “Në sytë e tu diç ka” asht një thirrje, një përqafim i hapun, asht një prehën që ka përherë vend për dashninë e vërtetë, atë e cila na rritë dhe përcjellë në dimensione shpirtnore dhe mendore ku fizika takohet me metafizikën, atje ku toka dhe qielli bahen një apo një mijë. Në poezinë e Agronit njeriu qendron i hapun para të papritunës dhe mistikës ashtu sikur lulja para shiut, gati me u ushqy dhe ripërtëri në një mijë jetë”, thotë Elona Çuliq, poete U.S.A.