RMV, ligji për menaxhimin e pronës së konfiskuar në procedurë penale dhe kundërvajtëse kaloi në Qeveri, tani ndodhet në Kuvend

Ligji për menaxhimin e pronës së konfiskuar, përfitimit pronësor dhe sendeve të sekuestruara në procedurë penale dhe kundërvajtëse tashmë ka kaluar në Qeveri, ndërsa më 3 janar është dorëzuar në Kuvend ku pritet të kalojë leximin e parë, transmeton Portalb.mk.

Qëllimi i këtij ligji është të mundësohet procedurë e shpejtë dhe efikase në të cilën prona e konfiskuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor të shitet me sukses dhe do të mundësojë kthimin e mjeteve dhe pronës së fituar në mënyrë kriminale.

Konfiskimi i suksesshëm nënkupton përfundimin dhe rrumbullakimin e suksesshëm të procedurave të zhvilluara më parë në prokuroritë publike, në organet e tjera dhe në gjykata.

Me zgjidhjet e reja ligjore tejkalohen problemet e përcaktuara, përmes vendosjes së mekanizmave të rinj në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare për veprim me këtë materie.

Kujtojmë se kërkesa për konfiskimin dhe evidentimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar, ka bërë në vazhdimësi edhe Komisioni Evropian, dhe të njëjtën e përsëriti edhe në raportin e 19 tetorit të vitit të kaluar. Në të thuhet se në vitin 2020, konfiskimi i pasurive kriminale është zbatuar ndaj 41 personave në 19 raste në aktgjykime të shkallës së parë. Sipas raportit, konfiskimi i pasurive kriminale duhet të bëhet përparësi strategjike në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale sipas BE-së nuk janë mjaft efektive, prandaj nevojitet një fokus i vërtetë për të ardhurat kriminale të personave publik.