Gjykata Administrative ia ktheu kreut të Tetovës, Kasamit kompetencat për gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” të cilat ia mori ministri Shaqiri (Dokument)

Gjykata Administrative e RMV-së ia ka kthyer kompetencat e përgjithshme për gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq” kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit të cilat në korrik 2023 iu morën nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Këtë e bënë të ditur sot nga Sektori i arsimit në Komunën e Tetovës duke bërë publik vendimin e gjykatës, shkruan Portalb.mk.

Valedin Ademi, udhëheqës i Sektorit të arsimit në Komunën e Tetovës sqaroi se Gjykata Administrative në aktgjykimin e saj ka konstatuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Mesëm.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka marrë një vendim krejtësisht të pasaktë dhe të kundërligjshëm për heqjen e kompetencës të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka vazhduar fare me vërtetimin e fakteve dhe provave që do të përbënin bazë për marrjen e vendimit me të cilin kryetarit të komunës i është hequr kompetenca dhe kredencialet në lidhje me Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq””, tha Ademi.

Ai shtoi se Gjykata Administrative ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të kontestuar për revokimin e kompetencave të kryetarit të Komunës së Tetovës dhe në aktgjykimin e saj ka theksuar qartë dhe pa mëdyshje se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë shkelje të dispozitave të Ligjit për arsimin e mesëm dhe se është konstatuar se gjendja faktike ka rezultuar të ishte e paplotë dhe jo korrekte dhe se është vepruar në dëm të Komunës së Tetovës.

“Me këtë aktvendim të Gjykatës Administrative kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i kthehen kompetencat në lidhje me funksionimin e përgjithshëm të Shkollës së Mesme Komunale Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq””, tha Ademi.

Vendimin e plotë mund ta gjeni më poshtë.

Ata kërkuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të kompensojë mjetet buxhetore për periudhën nga janari 2024 deri më korrik 2024.

“Kur na dërguan mjetet buxhetore për vitin 2024 për shkollat e mesme, na dërguan mjete më pak për gjimnazin. Iu drejtuam me shkresë Ministrisë së Arsimit se pse kemi mangët mjete, përgjigja e tyre ishte se deri në muajin korrik kompetencat e gjimnazit i ka MASH së bashku edhe me mjetet buxhetore. Në moment që na janë kthyer kompetencat na takojnë edhe mjetet”, tha Ademi.

I pyetur nga Portalb.mk në lidhje me atë se a janë kthyer edhe kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit, Ademi sqaroi se me këtë vendim edhe kjo kompetencë i është kthyer kryetarit të Komunës së Tetovës.

Portalb.mk pyeti se nëse pas këtij vendimi do e shkarkojnë drejtoreshën e gjimnazit, në këtë pyetje Ademi u përgjigj kështu:

“Është fitore shumë e madhe kjo që ka ndodhur, ne si Komunë e Tetovës do ta respektojmë propozim vendimin e këshillit të shkollës i cili është organi më i madh vendimmarrës në atë institucion” tha Ademi.

Shqiri: Duhet parë bazën juridike për veprime të mëtejme

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri i pyetur për këtë vendim të Gjykatës Administrative tha se do të çdo veprim tjetër qoftë edhe ligjor për vendimin e Gjykatës Administrative duhet parë bazën juridike ligjore, qoftë për masë ankimuese ose qoftë për ndonjë element tjetër ligjor.

“Pa dallim të marrjes së ingerencave, gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” ka drejtoreshë të emëruar dhe në bazë të Ligjit për shkollat e mesme çdo emërim dhe shkarkim duhet bërë konform ligjit për arsim të mesëm… Ky është vendimi i fundit i Gjykatës Administrative, çdo masë tjetër juridike do të varret nga veprimet që do t’i bëjë qoftë Komuna e Tetovës, qoftë edhe udhëheqësia e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq””, tha Shaqiri.

Problemi me kompentencat daton që në maj të vitit 2022 kur drejtoresha e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” Teuta Llalla u shkarkua nga pozicioni i drejtoreshës nga ana e Komunës së Tetovës. Shkarkimi i Llallës, sipas Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) ishte bërë në kundërshtim me ligjin. Më pas Ministria e Arsimit ia mori kompetencat kryetarit të Komunës për shkarkimin dhe emërimin e drejtorit në këtë shkollë, me çka Lalla u rikthye në punë si drejtoreshë. Ndërkaq, në korrik 2023 Ministria ia mori kompetencat Komunës së Tetovës për gjimnazin jo vetëm për emërim dhe shkarkim, por edhe për punët e përgjithshme. Si rezultat i marrjes së kompetencave dhe konfuzionit për atë se kush është përgjegjës për shkollën, gjimnazi disa herë ka mbetur pa rrymë.