RMV, përveç konfiskimit të pasurisë në procedurë penale, propozohet ligj për konfiskim të pasurisë në procedurë civile
Përskaj mundësisë ligjore për konfiskim të pronës të përfituar në mënyrë të paligjshme në procedurë penale në bazë të Kodit Penal, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Këshillin e Evropës ka përgatitur propozim-ligj për konfiskim të pronës të përfituar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet procedurës civile. Ligji, ka për qëllim që t’i plotësojë zbrazëtirat ligjore, nëpërmjet të cilave shmanget konfiskimi i pasurisë, për të cilën nuk mund të dëshmohet prejardhja e saj, shkruan Portalb.mk.
Në sistemin elektronik të ligjeve ENER, tanimë është vendosur propozim-ligji për konfiskim të pronës në procedurë civile, i cili njëkohësisht është dërguar edhe për mendim në Komisionin Evropian. Pas 20 ditësh mundësi për të dërguar dhe shqyrtuar vërejtjet dhe sugjerimet për propozim-ligjin, i njëjti duhet të dërgohet në Qeveri për miratim, ndërkaq më pas të votohet edhe në Kuvend.
Zëvendëskryeministrja për Politika për Qeverisje të Mirë, Sllavica Grkovska, në diskutimin e sotëm publik theksoi se ky ligj e mbron interesin publik.
“Ne jemi vend i vogël me shumë fshehtësi publike, me shumë pak zgjidhje, dhe kjo kontribuon edhe më shumë për ndjenjë më të fortë pa pafuqinë e qytetarit të thjeshtë. Vijmë në situatë në të cilën ata që kanë arritur ta shfrytëzojnë ndikimin e tyre, të ikin prej ligjit. Ky ligj e mbron interesin e shtetit. E drejta për pronësi është e kufizuar në pajtueshmëri me Kushtetutën. Ligji mundëson bashkëpunim më të lehtë ndërkombëtar. Përfitimet e ligjit për tërë shoqërinë paraqesin vlerë të shtuar. Ky ligj nuk paraqet dhe nuk duhet të paraqesë zëvendësim për konfiskimin në procedurë penale. Kjo nuk është arsyetim për prokurorët në procedurë penale të shmangin konfiskimin. Ky mekanizëm kërkon reagim të shpejtë nga shteti, që të mos shfrytëzohet më pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme”, tha Grkovska.
Në panel u desh të mbajë fjalim edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, por për shkaqe shëndetësore mungoi. Në emër të tij, para të pranishmëve foli Nikolla Prekopenko, përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, i cili tha se ligji është me rëndësi të jashtëzakonshme.
“Në këtë proces kyçe do të jenë edhe mendimi i Komisionit Evropian, pasi që në lidhje me këtë materie, ekzistojnë disa standarde ndërkombëtare të cilat patjetër duhet të plotësohen. Qëllimi i këtyre standardeve është që kryesisht të arrihet, ajo që Këshilli i Evropës në dokumentet e saja i thekson, gjegjësisht baraspeshën mes përballjes me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, theksoi Prekopenko.
Cilën zbrazëtirë duhet ta plotësojë ky ligj?
Për esencën e ligjit dhe zbatimin e tij në praktikë foli shefi i Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, prokurori Gavrill Bubevski. Ai tha se momentalisht, në bazë Kodit Penal ka dy mënyra për të konfiskuar pronën e konfiskuar në mënyrë të paligjshme, por megjithatë, ka një zbrazëtirë, të cilën ky ligj duhet ta plotësojë.
“Ne kemi konfiskim në procedurë penale, e cila ka dy lloje, njëri është konfiskimi klasik; i cili thotë se konfiskohet prona e cila është përfituar nga vepra penale – dhe kjo është më lehtë; lloji i dytë është konfiskimi i gjerë dhe këtu ende vonojmë dhe jemi mjaft mbrapa në këtë pjesë, kishim disa ndryshime të Kodit Penal në atë pjesë që shtrirjen e konfiskimit të rrisim ndaj një pjese më të madhe të veprave penale që udhëheqim procedurë dhe besoj me miratimin e procedurave standarde për udhëheqjen e hetimeve financiare atë pjesë do ta plotësojmë. Çfarë kërkon konfiskimi i zgjeruar? Kërkon zbatimin e ndonjë vepre penale, dhe për shkak asaj kryerje të veprës penale nga kryerës konkret, në pesë vitet e fundit nëse ai person ka mjete për të cilat nuk ka të ardhura të ligjshme. Por, patjetër duhet të jetë e lidhur me katalogun e veprës penale e cila parashikohet në Kodin Penal”, theksoi Bubevski.
Ai sqaroi se kur do të shohin se ndonjë person ka mjete drastike për të cilat nuk mund të japë sqarim, përskaj mjeteve të ligjshme në bazë të rrogës, të ardhurave të familjes, trashëgimisë apo dhuratave, atëherë hyjmë në konfiskim të gjerë – gjegjësisht edhe para kryerjes së veprës penale.
“Domethënë, konfiskimi klasik përfshin pronën e cila është pas kryerjes së veprës penale, ndërkaq konfiskimi i zgjeruar përfshin konfiskim të pronës e cila është përfituar deri në 5 vite para kryerjes së veprës penale – por patjetër duhet të jetë e lidhur për ndonjë vepër konkrete, apo vepër penale konkrete, por edhe kusht plotësues është që të ketë katalog të veprës penale, pasi që ajo nuk parashikohet për gjithçka. Këto janë dy llojet e konfiskimit dhe këto ekzistojnë në procedurën penale, në bazë të Ligjit të Kodit Penal”, tha Bubevski.
Procedura e veçantë për konfiskim është vetëm proces juridik, thotë Bubevski, me qëllim që nëse ndonjë person nuk mundem të gjykohet, për shkak të vdekjes, arratisjes, amnistisë, faljes, vjetërsim të veprës – pra nëse ekziston diçka e tillë, dhe është udhëhequr procedurë penale, por nuk mund të konfiskohet prona, në atë situatë niset procedurë e veçantë për konfiskim.
Çfarë duhet të plotësojë konfiskimi civil?
“Këtu kemi një zbrazëtirë dhe këtu, kjo duhet ta plotësojë. Cila është kjo hapësirë? Gjatë procedurës para prokurorit publik ose gjatë gjykimit, Gjykata vendos se nuk ka prova të mjaftueshme se ky person është kryerës i veprës, në atë situatë, nëse kemi dyshim se ai person, pavarësisht se nuk kemi arritur ta dëshmojmë veprimin e tij, disponon me pronë e cila në dallim drastik – mbi 50.000 euro, siç është tani propozimi më i madh se sa prona që ai realisht mund ta ketë duke i pasur parasysh të gjitha të ardhurat e ligjshme. Praktikisht, kemi person që është i lirë, por prona e tij është shumë më e madhe për atë që e punon. Nuk i kemi dëshmuar veprimet penale, por ndoshta mundemi ta marrim atë pronë në atë procedurë për konfiskim, pra me këtë ligj – unë këtu e shoh hapësirën”, thotë prokurori Bubevski.
Kjo është e fundit në rang-listën dhe këtu është hapësira kur mundet që ky sistem këtu të thotë se krimi nuk është profitabil, tha Buevski duke shtuar se kjo deri më tani nuk ka qenë e mundur.
Ligji është dërguar në Komisionin Evropian për shqyrtim, mendoj se ngadalë-ngadalë e dimë se çfarë duam të bëjmë.
Hartimi i propozim-ligjit për konfiskim të pronës në procedurë civile ka filluar të hartohet në bazë të studimit të fizibilitetit dhe analizës së gjendjes dhe modeleve të konfiskimit në sistemet moderne juridike, e cila ishte e përgatitur në bashkëpunim mes Kabinetin për Politika dhe Qeverise të Mirë dhe Këshillit të Evropës. Në bazë të kësaj, grupi formal i punës e ka përgatitur ligjin për të cilin sot u mbajt diskutimi publik. Përgatitja e zgjidhjes së re ligjore tanimë është pjesë e Udhërrëfyesit – Qeverisje e mirë, nga Klasteri 1 – Themelet dhe për këtë ekzistojnë afate, realizimin e të cilës do ta ndjek Komisioni Evropian.
Kujtojmë se kërkesa për konfiskimin dhe evidentimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar, ka bërë në vazhdimësi edhe Komisioni Evropian, dhe të njëjtën e përsëriti edhe në raportin e 19 tetorit të vitit të kaluar. Në të thuhet se në vitin 2020, konfiskimi i pasurive kriminale është zbatuar ndaj 41 personave në 19 raste në aktgjykime të shkallës së parë. Sipas raportit, konfiskimi i pasurive kriminale duhet të bëhet përparësi strategjike në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale sipas BE-së nuk janë mjaft efektive, prandaj nevojitet një fokus i vërtetë për të ardhurat kriminale të personave publik.