Shkup, numri i autobusit me fletë të thjeshtë letre, u bë shkak për përplasje fizike mes shoferit të NTP-së dhe një pasagjeri

Një autobus i NTP-së me numër 7 ka qenë skena e përleshjes fizike mes shoferit të autobusit dhe njërit prej pasagjerëve mbrëmjen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:15, kur autobusi ka ndaluar në stacionin e qendrës tregtare Vero Jumbo. Një sherr verbal pasoi pasi një nga pasagjerët iu përgjigj shoferit për shkak se tabela e ndriçuar e numrit të autobusit nuk funksiononte dhe numri ishte shkruar në fletë të thjeshtë letre, transmeton Portalb.mk.

Kur hyri në autobus, pasagjeri grisi fletën në të cilën ishte shkruar numri 7.

Shoferi e paralajmëroi se kjo nuk ishte e drejtë dhe tha se nuk do të voziste për shkak të sjelljes së tillë.

“Unë e paguaj biletën siç duhet, por numrat nuk ndizen, më duhet të vrapoj dhe të ndaloj para autobusit për të parë se cili është numri”, tha pasagjeri.

Pas një debati të shkurtër verbal, jashtë autobusit ka nisur një përleshje fizike mes pasagjerit dhe dy shoferëve të NTP-së, të cilët në atë moment ndodheshin në autobus dhe po dorëzonin turnet. Asnjëri prej tyre nuk u lëndua.

Në një kohë të shkurtër, të tre u kthyen në autobus dhe njëri nga shoferët lajmëroi policinë.

Pasagjerët, të cilët ndodheshin në autobus në atë moment, kanë zbritur në stacionin e autobusit dhe tre policë kanë mbërritur në vendngjarje për rreth 10 minuta.

Pas një bisede të shkurtër, pasagjeri i cili ka qenë pjesë e përleshjes fizike është dërguar në stacion policor, ndërsa shoferit të autobusit i janë marrë të dhënat personale.