RMV, gjashtë zjarre aktive në hapësira të hapura, tre nën kontroll dhe 31 të shuar 

Që nga ora 7:30 e mëngjesit të sotëm, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 40 zjarre në zona të hapura, nga të cilat gjashtë janë aktive, tre janë nën kontroll dhe 31 zjarre janë shuar, njoftoi Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK), shkruan Portalb.mk

Zjarret janë aktive në komunën e Studeniçanit – mbi fshatrat Moran, Vrtekicë dhe Ramni Gaber, ku digjet një pyll i përzier, në Makedonski Brod – një vend i quajtur Vidush, pranë fshatit Dragov Dol, në komunën e Manastirit – fshatin Lopaticë (bimësi e ulët), në komunën e Novacit – fshatrat Makovo, Mojno dhe Brnik (bimësi e ulët), komunën e Krushevës – në shtrirjen nga fshati Aldanci deri në fshatin Norovo dhe në komunën e Velesit – fshatin Slep, ku një pyll është prekur nga zjarri. 

Tre zjarre janë nën kontroll – deponia në komunën e Delçevës, në komunën e Mogillës – fshatrat Loznani dhe Vasarejca (me bimësi të ulët) dhe në komunën e Jegunovcës – fshati Kopanicë.   

Kujtojmë se Qeveria ka shpallur gjendje të krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të gushtit për shkak të rritjes së rreziqeve dhe kërcënimeve nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit.

Këtë javë është rritur edhe rreziku për shfaqjen dhe përhapjen e shpejtë të zjarreve në hapësira të hapura dhe zjarreve në pyje. Dita e 12 gushtit shënoi kulmin e deritanishëm të sezonit të zjarreve në Maqedoninë e Veriut, me dhjetëra vatra aktive që angazhuan ekipet e zjarrfikësve dhe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në disa rajone të vendit.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut, viteve të kaluara është përballur me shumë zjarre. Gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit të kaluar u raportuan një sërë zjarres.