RMV, 52 zjarre në një ditë, Angellov apelon për kujdes maksimal
Dita e 12 gushtit shënoi kulmin e deritanishëm të sezonit të zjarreve në Maqedoninë e Veriut, me dhjetëra vatra aktive që angazhuan ekipet e zjarrfikësve dhe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në disa rajone të vendit. Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur shpërthimin e zjarreve të reja, shkruan Portalb.mk.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, thotë se gjatë ditës së djeshme më 12 gusht në vend ka pasur të paktën 52 zjarre në ajër të hapur dhe se ky ishte më i rëndi që nga fillimi i sezonit të ri të zjarreve.
“Falë luftës së zjarrfikësve me zjarret gjatë gjithë ditës, janë shuar 46 zjarre, gjashtë kanë mbetur aktivë edhe gjatë ditës së sotme. Përveç këtyre gjashtë zjarreve që kanë qenë në zjarr që nga dje, gjatë ditës së sotme janë shfaqur disa zjarre të reja. Një nga më seriozët është zjarri që shpërtheu në afërsi të Prilepit, përgjatë rrugës kryesore për në Manastir. Edhe pse zjarri ndodhi në një zonë të sheshtë, era e fortë që frynte e bëri punën e zjarrfikësve edhe më të vështirë, prandaj u përshijë një sipërfaqe më e madhe. Në këtë moment, ky zjarr është nën kontroll të pjesshëm, pres që së shpejti të vihet nën kontroll të plotë. Fatkeqësisht, një hambar në të cilin ishte ruajtur një sasi e caktuar duhani u dëmtua në zjarr”, tha sot Angellov.
Drejtori thotë se për fat të keq, zjarre të reja me siguri do të shfaqen sot, prandaj ai u bën thirrje të gjithë qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm.
“Numri prej 52 zjarresh po i shteron burimet tona dhe beteja e përditshme me dhjetëra zjarre është vërtet e vështirë për t’u fituar. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm sepse vetëm një shkëndijë mjafton për të shkaktuar një katastrofë të vërtetë”, tha ai.
Lidhur me zjarrin në territorin e Komunës së Studeniçanit, në zonën e fshatit Ramni Gaber, ai tha se dje kanë vepruar tre “traktorë ajrorë”, si dhe katër ekipe të Drejtorisë me katër “Pinzgauer”. Angellov thotë se zjarri po zhvillohet në terren jashtëzakonisht të paarritshëm, terren të pjerrët dhe në disa vende pemë të dendura dhe për këtë arsye shuarja e tij është e vështirë. Lufta kundër këtij zjarri vazhdon gjatë gjithë ditës së sotme, tymi nga ky zjarr është i dukshëm nga Shkupi.
“Në këtë moment, zjarri nuk përbën kërcënim për fshatrat përreth. Zjarrfikësit e Shkupit kanë lënë vazhdimisht ekipe gjatë gjithë natës për t’u siguruar që zjarri të mos i afrohet asnjërit prej fshatrave përreth”, shtoi Angellov.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali, njoftoi se zjarri në pyllin mbi fshatin Gaber është përhapur, por situata në drejtim të zonave të banuara të fshatit Gaber është nën kontroll dhe për momentin nuk paraqet rrezik për banorët.
“Për shkak se zjarri ndodhet në terren malor dhe të paarritshëm, ku ndërhyrja nga toka është e vështirë, në këtë moment do të angazhohen tre avionë ‘Air Tractor’ të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe një avion i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Zjarri po përhapet në drejtim të fshatit Vërzhallë, për këtë arsye situata po monitorohet me kujdes dhe ekipet ndodhen në terren”, deklaroi Ali.
Për shkak të temperaturave të larta, Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit.
Këtë javë është rritur edhe rreziku për shfaqjen dhe përhapjen e shpejtë të zjarreve në hapësira të hapura dhe zjarreve në pyje.
Kujtojmë se Qeveria ka shpallur gjendje të krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të gushtit për shkak të rritjes së rreziqeve dhe kërcënimeve nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, viteve të kaluara është përballur me shumë zjarre. Gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit të kaluar u raportuan një sërë zjarres.