Raporti i DASH-it: Në RMV është rritur dhuna ndaj gazetarëve, Ballkani Perëndimor ka kufizime të lirisë së medias
Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin e tij të ri mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ka vlerësuar se në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të kufizuara liria e shprehjes dhe liria së medias. Në pjesën për Maqedoninë e Veriut, raporti citon organizata joqeveritare të cilat theksojnë se liritë e medias janë të rrezikuara nga paditë strategjike ndaj gazetarëve (SLAPP), presionet e zyrtarëve, autocensura dhe sulmet për shkak të hetimeve mbi korrupsionin, dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes, transmeton Portalb.mk.
“Sipas organizatave të medias dhe shoqërisë civile (OJQ), liria e shprehjes u minua nga një numër në rritje i padive strategjike kundër gazetarëve, sjellja e papërshtatshme nga ana e zyrtarëve publikë në ndërveprimin e tyre me gazetarët, presioni i tepërt mbi gazetarët që hetojnë korrupsionin, dezinformimin, gjuhën e urrejtjes në mediat online dhe sociale, dhe autocensura”, thuhet në raport.
Në raport më tej thuhet se më 28 shkurt, qeveria ndryshoi Ligjin për Shërbimet e Medias Audio-Vizuale për të lejuar që fushatat e “interesit të lartë publik” të paguara nga qeveria të reklamoheshin përmes transmetuesve komercialë. Shoqatat e pavarura të medias shprehën shqetësim në lidhje me ndryshimet dhe e kritikuan ligjin si një kthim në korrupsionin dhe klientelizmin e përhapur në media.
“Në veçanti, SHGM vuri re një rritje të dhunës dhe ngacmimit të gazetareve gra. Gjatë tetë muajve të parë të vitit, Zyra e Prokurorit Publik raportoi dy raste serioze sulmesh ndaj gazetarëve”, thuhet ndër të tjera në raport.
Raporti për vendet e Ballkanit Perëndimor nënvizon gjithashtu një problem të evidentuar edhe në raportet e mëparshme – mosndëshkimin e krimeve të luftës, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në pjesën për Kosovën, në raportin e parë të Departamentit të Shtetit nën administratën e presidentit Donald Trump, thuhet se autoritetet nuk kanë ndërmarrë hapa të qëndrueshëm për t’i identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut.
Për Bosnjë e Hercegovinën, thuhet se autoritetet e Republikës Sërpska kanë ndërmarrë veprime që kanë dobësuar institucionet shtetërore, kanë rritur tensionet ndëretnike dhe kanë kufizuar lirinë e shprehjes.
Në pjesën për Serbinë, thuhet se nuk ka pasur ndryshime të mëdha në gjendjen e të drejtave të njeriut, por theksohen raportet për kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe mediave, përfshirë dhunë ose kërcënime ndaj gazetarëve, ndjekje të pajustifikuara dhe trafikim të qenieve njerëzore, duke përfshirë punën e detyruar.
Për Malin e Zi, raporti thotë se në vitin 2024 nuk ka pasur ndryshime të rëndësishme në gjendjen e të drejtave të njeriut, por ndër problemet e evidentuara janë raportet për torturë ose trajtim mizor, çnjerëzor e poshtërues, si dhe kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe medias.
Gjendja në botë
Departamenti amerikan i Shtetit ka zbutur dukshëm kritikat ndaj disa shteteve që konsiderohen partnerë të ngushtë të presidentit republikan Donald Trump, si Salvadori dhe Izraeli – vende për të cilat organizatat për të drejtat e njeriut pretendojnë se kanë një histori serioze të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Raporti përmend ato që administrata e Trumpit i konsideron si kufizime të lirisë së shprehjes në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani.
Në të njëjtën gjuhë për të tre vendet aleate të NATO-s thuhet se “kushtet e të drejtave të njeriut janë përkeqësuar gjatë vitit”.
Kujtojmë se në Raportin e vitit të kaluar theksohej se Qeveria në RMV nuk i ka ekzekutuar në mënyrë të rregullt dënimet për korrupsion, duke i’u referuar ndryshimeve Kushtetuese të Kodit Penal, i cili “në mënyrë të konsiderueshme uli akuzat dhe gjobat për krimet që ndërlidhen me korrupsionin”.