Tetova mbeti dy ditë pa ujë në pikën e të nxehtit, u sanua defekti që riktheu makthin e verës për qytetarët

Si pasojë e një defekti në gypin kryesor F400 në lagjen A.J. Zhurçin, furnizimi me ujë të pijshëm u ndërpre në të gjithë Tetovën, ndërsa qytetarët mbetën pa ujë për dy ditë në ditët më të nxehta të verës. Defekti u sanua sot para dite, shkruan Portalb.mk. 

Defekti ishte shkaktuar në linjën e vjetër F400, në thellësi prej rreth 3 metrash. 

“Ky është një prej defekteve më të ndërlikuara, për shkak të moshës së tubacionit dhe pozitës së tij në terren”, informuan nga NPK “Sharri”. 

Në ndërkohë defekti u sanua sot para dite.

“Pas një pune të pandërprerë dhe me intensitet të lartë, ekipet e NPK “Sharri” kanë përfunduar me sukses sanimin e defektit në linjën e vjetër F400. U kërkojmë falje qytetarëve për pengesat e shkaktuara gjatë ndërprerjes së ujit dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar gjatë kësaj kohe”, thanë nga NPK Sharri. 

Ndonëse drejtori i NPK “Sharri” në qershor 2025 deklaroi se këtë verë nuk do të ketë restrikcione të ujit, ky defekt i la qytetarët dy ditë pa ujë. 

Viteve të fundit, qyteti është përballur vazhdimisht me restrikcione të ujit, sidomos gjatë verës dhe dimrit, të cilat kanë shkaktuar revoltë te qytetarët. 

Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra. Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte. 

Kujtojmë që në këtë drejtim, së fundmi Komuna e Tetovës ka filluar dy projekte të financuara nga Qeveria e RMV-së. Edhe atë: Rikonstruimin dhe zgjerimi i rrjetit primar të ujësjellësit në lagjen Jashta Vardarit – Tetovë në vlerë prej 15.104.118,00 denarëve, si dhe projektin Rikonstruksoni i tubacionit të sistemit të furnizimit me ujë të qytetit nga burimi në Kodrën e Diellit deri te rezervuarit në Tetovë në vlerë prej 65.254.495,60 denarëve. Këto projekte realizohen në vit zgjedhor.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje. Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Megjithatë këto premtime nuk janë realizuar siç ai ka premtuar. Pavarësisht se ka pasur intervenimeqytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.