QMK: Pesë zjarre janë aktive, dy janë nën kontroll

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njofton se në 24 orët e fundit, deri në orën 8 të mëngjesit të sotëm, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 29 zjarre në hapësirë të hapur, nga të cilat pesë janë ende aktive, dy janë nën kontroll dhe 22 janë shuar, transmeton Portalb.mk.  

Midis zjarreve aktive është edhe zjarri që shpërtheu dje në komunën e Zhelinës drejt fshatit Erebino, ku digjen pyje të ulëta, shkurre dhe bimësi të ulët. Ky zjarr, për një pjesë të ditës, shkaktoi edhe mbylljen e rrugës rajonale nga Shkupi në Tetovë, dhe automjetet u ridrejtuan përgjatë autostradës Shkup-Tetovë. Kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, shprehu dyshime se zjarri është vënë, por deri më tani nuk ka informacione nga autoritetet në lidhje me pretendime të tilla. 

Sipas QMK-së, zjarri në komunën e Vasilevës, pranë fshatit Niviçino, ku digjen pyje të ulëta, bredha, shkurre dhe bimësi të ulët për disa ditë, është ende aktiv. 

Në territorin e komunës së Makedonski Brod, një zjarr është aktiv pranë fshatit Greshnicë, dhe siç raportohet nga QMK, elementi është riaktivizuar në segmentin midis fshatrave Kreshevo, Lokvica dhe Krapa në të njëjtën komunë. 

Zjarri i pestë që autoritetet ende nuk kanë arritur ta vënë nën kontroll është ai në komunën e Prilepit, midis fshatrave Carevic dhe Smolani, ku janë prekur pyje të përziera dhe bimësi e ulët. 

Sipas QMK, zjarret në Makedonski Brod, pranë fshatit Sllatinë, ku digjeshin bredha, bar i thatë dhe bimësi të tjera të ulëta, dhe në Veles në segmentin midis fshatrave Xhidimirci – Krusje – Ivankovci, ku janë prekur pyje të degraduara me kërcell të ulët, janë nën kontroll. 

Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.

Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian.

Për të zbutur këtë situatë,  me vendim qeveritar pritet që 400 zjarrfikës të përkohshëm do të punësohen dhe të vendosen në Brigadat e Zjarrfikësve Komunal, që është gjysma e numrit të nevojshëm.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut deri më 23 korrik do të pranojë qytetarë të interesuar për të punuar në njësitë zjarrfikëse.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).