QMK-ja përmes sms porosive teston sistemin për njoftim masiv të popullatës në raste të situatave të krizës në Maqedoni
Gjatë orëve të pasdites së djeshme, një pjesë e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut morën një SMS porosinë „Ju njoftojmë se është shpallur gjendje krize në lidhje me zjarret dhe ju informojmë se është në fuqi ndalimi i lëvizjes nëpër pyje”, e cila ishte vetëm në gjuhën maqedonase me shkronja latine, transmeton Portalb.mk.
Nga QMK-ja bënë të ditur se ky është një mesazh testues me qëllim që të kontrollohen mundësitë për dërgimin e mesazheve të tilla masive, të cilat në të ardhmen duhet të jenë pjesë e sistemit të quajtur ‘cell broadcasting’ ose dërgim masiv i mesazheve në rast të situatave të krizës për njoftim dhe alarmim.
“Ky mesazh testues ka për qëllim të vlerësojë mundësitë teknike për vendosjen e sistemit për njoftim masiv të popullatës në raste të situatave të krizës. Ky sistem, i njohur si cell broadcasting, mundëson dërgimin e mesazheve urgjente te të gjithë përdoruesit e telefonave mobilë që ndodhen në një zonë të caktuar gjeografike, pa marrë parasysh operatorin mobil. Qëllimi i tij është informimi dhe alarmimi në kohë dhe në mënyrë efikase i popullatës në rast zjarresh, përmbytjesh, tërmetesh, dukurish të rrezikshme atmosferike apo situatave të tjera të krizës”, thanë nga QMK.
Qendra për Menaxhim me Kriza u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe sjellje të përgjegjshme, veçanërisht në kushte të temperaturave të larta dhe motit të thatë, me qëllim të parandalimit të zjarreve të mëtejshme dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Maqedonia e aktivizoi mekanizmin e BE-së për ndihmë në përballimin e zjarreve
Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.
Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për shtyp me 9 korrik njoftoi se për shkak të seriozitetit të situatës me zjarret në pyje në të gjithë vendin, kanë kërkuar ndihmë nga BE-ja.
“Është aktivizuar edhe mekanizmi për ndihmë evropiane në përballimin e zjarreve dhe të gjitha kapacitetet e shtetit po vihen në funksion në masën maksimale të mundshme”, tha Toshkovski.
Nga ana tjetër, Armata u angazhua në shuarjen e zjarrit me vendim të presidentes Gordana Siljanovska – Davkova, pas vendimit të Qeverisë së RMV-së për gjendjen e krizës 30 ditore.
Kurse për të zbutur këtë situatë, me vendim qeveritar pritet që 400 zjarrfikës të përkohshëm do të punësohen dhe të vendosen në Brigadat e Zjarrfikësve Komunal, që është gjysma e numrit të nevojshëm.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS). Në gushtin e vitit të kaluar vendi e aktivizoi Mekanizmin për Mbrojtjen Civile të BE-së për shkak të numrit të madh të zjarreve. Si rezultat, dhjetë ekipe zjarrfikëse ajrore nga gjashtë vende të ndryshme anëtare të BE-së u vendosën në të gjithë vendin për të luftuar zjarret.