Qeveria e tërhoqi rekomandimin për funksionimin e dyqaneve dhe kioskave gjatë festave të Krishtlindjeve

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e pranoi udhëzimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) se data 7 (e diel) dhe 8 janar (e hënë) janë ditë jo pune sipas Ligjit për festat të Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.

Qeveria në seancën e sotme vendosi ndryshimin e vendimit me të cilin në fund të dhjetorit rekomandoi  që dyqanet, stendat dhe kioskat të punojnë gjatë festave të Krishtlindjeve, 7 dhe 8 janar.

“Qeveria e ka marrë parasysh dhe ka pranuar sugjerimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale se 7 janari (e diel) dhe 8 janari (e hënë) janë ditë jo pune, sipas Ligjit për festat të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në fund të muajit dhjetor, Qeveria rekomandoi që dyqanet dhe kioskat e vogla të punojnë gjatë festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve.

Edhe pas apeleve të shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të punës që të mos punojnë gjatë festave, disa nga shitoret, pas rekomandimit të Qeverisë, kanë punuar më 31 dhjetor dhe 1 janar.