Lëvizja Besa: Drejtësia në RMV ka dështuar, Ahmeti dhe Kovaçevski vetëm deklarativisht bëjnë thirrje për hetim

Korrupsioni, ndikimet politike, mungesa e efikasitetit dhe profesionalizmit ka bërë që sot besimi i qytetarëve në organet e drejtësisë të jetë vetëm 3 %. Një konstatim i tillë vërtetohet edhe nga deklarata e ambasadores amerikane e cila jo më vonë se dy ditë më parë deklaroi se “kur bëhet fjalë për progresin në gjyqësor jemi të zhgënjyer”, shqetësime të ngjashme janë ngritur edhe nga ambasadori i Unionit Evropian dhe Holandës. Kështu me konferencë për shtyp, kanë reaguar sot nga Lëvizja Besa, të cilët thonë se fajtorë për këtë janë LSDM dhe BDI, shkruan Portalb.mk.

Nga Lëvizja Besa thonë se përkundër këtyre deklaratave të përfaqësuesve më të lartë të aleatëve më të fuqishëm të RMV-së për gjendjen e gjyqësorit në vendit tonë, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti deklarojnë në mënyrë cinike dhe të papërgjegjshme se krimi dhe korrupsioni duhet që të hetohet.

“Por nga kush të hetohet? Nga kush të ndiqen politikanët e korruptuar dhe të zhytur në krim dhe korrupsion? Nga Islam Abazi kryeprokurori për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit i cili ka më shumë fotografi me vëllain e kreut të BDI-së dhe funksionar të tjerë të BDI-së se sa me familjarët e tij? Nga djali i kryeparlamentarit Talat Xhaferi, funksionar dhe eksponent më i rëndësishëm politik i BDI-së? Apo nga eksponent të tjerë politik të juaj të cilët i keni rehatuar nëpër pozita të ndryshme në organet e drejtësisë?”, tha Fatmir Sabriu.

Ai shtoi se si rrjedhojë e frikës së ikjes nga pushteti ata filluan të rehatojnë të afërmit e tyre në pozita kyçe në organet e drejtësisë me qëllim që një ditë t’i  mbrojnë nga ndjekja dhe shqiptimi i dënimit, kurse tani janë duke investuar paratë e krimit dhe korrupsionit në biznese private të cilat i kanë ngritur duke shfrytëzuar pasuritë natyrore të vendit tonë.

Kujtojmë që para dy ditëve, Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler ka shprehur dëshpërimin e saj për gjendjen në fushën e drejtësisë, që është ndër më të kritikuarat për shkak të pranisë së korrupsionit, ndikimeve politike, mungesës së efikasitetit dhe profesionalizmit. Ambasadorja Aggeler ka thënë se përkundër përkushtimit dhe ndihmës së madhe financiare të qeverisë amerikane në dekadat e fundit për ngritjen e një sistemi funksional dhe të pavarur gjyqësor, rezultatet mungojnë.

Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.

Ambasadori, David Geer ka paralajmëruar ardhjen në Shkup të një misioni për vlerësimin e punës së Këshillit Gjyqësor, organit më të lartë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, që zgjedh dhe monitoron punën e gjykatësve.

Por, Këshilli ka qenë në shenjstër të kritikave për zgjedhjen e kuadrove partiak në pozita drejtuese në organet e drejtësisë, por edhe për mos veprim në më shumë raste lidhur më vjetërsimin apo mos procedimin e rasteve që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë shtetëror.