Komanda e Brigadës së Evropës Juglindore e përfundoi misionin në Maqedoninë e Veriut
Komanda e Brigadës së Evropës Juglindore (SEEBRIG) e përfundoi misionin gjashtëvjeçar në Maqedoninë e Veriut dhe, sipas parimit të rotacionit, veprimtarinë do ta vazhdojë në Stamboll, Turqi, transmeton Portalb.mk.
Sot, në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë, u mbajt ceremonia solemne, ku ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, tha se gjatë këtyre gjashtë viteve vendi dëshmoi se kontribuon me sukses në paqen dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare, duke treguar se është partner kredibil, i besueshëm dhe aktiv.
Misajllovski theksoi se prania e Komandës në Kumanovë gjatë gjashtë viteve të fundit ka kontribuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me vendet pjesëmarrëse.
“SEEBRIG është një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit rajonal në mbrojtje, i ndërtuar mbi vlerat që ndajmë të gjithë: besimin e ndërsjellë, partneritetin, solidaritetin dhe përgjegjësinë e përbashkët për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Evropës Juglindore”, tha Misajllovski.
Në ceremoni morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, përfaqësues të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (SEDM), përfaqësues të korit ushtarako-diplomatik, të Armatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe mysafirë të tjerë të lartë.