Nismat e pavarura në RMV: Ministria e Drejtësisë hesht ndaj kërkesave tona për Kodin Zgjedhor
Nëntë nisma të pavarura qytetare kanë kërkuar ndryshime urgjente në Kodin Zgjedhor, duke kërkuar kushte të barabarta për pjesëmarrje në zgjedhje me ato që gëzojnë partitë politike. Përmes një deklarate të përbashkët, ato theksojnë se procesi zgjedhor duhet të jetë i drejtë, i barabartë dhe realisht i qasshëm për të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa kërkojnë që të përfshihen menjëherë në procesin e hartimit të ndryshimeve ligjore, transmeton Portalb.mk.
Nismat shprehin pakënaqësi ndaj Ministrisë së Drejtësisë, duke theksuar se nuk kanë marrë përgjigje zyrtare për kërkesat e paraqitura gjatë një takimi të mbajtur me përfaqësuesit e ministrisë. Sipas tyre, ende nuk dihet nëse propozimet e tyre do të shqyrtohen, cilat prej tyre do të përfshihen në ndryshimet ligjore dhe kur do të kenë mundësi të marrin pjesë në diskutimet për reformën zgjedhore.
“Protestojmë me forcë ndaj faktit që Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigj listës së kërkesave të nismave të pavarura, e cila iu dorëzua gjatë takimit në Ministri me pjesëmarrjen e nëntë grupeve të pavarura. Pas këtij takimi nuk morëm një përgjigje të qartë me shkrim nëse kërkesat tona do të shqyrtohen, nëse janë të pranueshme, cilat prej tyre do të përfshihen në ndryshimet ligjore dhe kur do të përfshihemi në një debat thelbësor”, thuhet në reagim
Mes kërkesave kryesore janë ulja e numrit të nënshkrimeve të nevojshme për kandidatët dhe listat e pavarura, zgjatja e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve nga 15 në 30 ditë, mundësia që nënshkrimet të mblidhen edhe në terren, shënimi i qartë i listave të pavarura në fletëvotim, qasje e barabartë në media, financim dhe reklamim politik, si dhe thjeshtimi i procedurave administrative për nismat që tashmë kanë fituar mandate.
Kërkesat e nismave:
- Një numër i arsyeshëm, proporcional dhe realisht i arritshëm i nënshkrimeve të nevojshme për kandidatët dhe listat e pavarura.
- Mundësia që nënshkrimet të mblidhen edhe në terren, përpara personave të autorizuar, sipas rregullave të qarta dhe të kontrollueshme.
- Zgjatja e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve nga 15 në 30 ditë.
- Shënimi i qartë i listave të pavarura me emrin e tyre në fletëvotim.
- I njëjti numër rendor për kandidatin për kryetar komune dhe listën e këshilltarëve kur propozohen nga i njëjti subjekt.
- Hedhje e shortit reale, e barabartë dhe transparente për përcaktimin e renditjes në fletëvotim.
- Mundësia që nismat e pavarura të paraqesin edhe lista të pjesshme të këshilltarëve, në vend të listave domosdoshmërisht të plota.
- Mundësia që kandidati për kryetar komune njëkohësisht të jetë kandidat edhe në listën e këshilltarëve të të njëjtit propozues.
- Qasje e barabartë në media, debate, programe informative, billborde dhe reklama politike me pagesë.
- Qasje e barabartë në financim dhe në kompensimin sipas numrit të votave të fituara, me të njëjtat kushte si partitë politike.
- Thjeshtimi i procedurave të regjistrimit dhe detyrimeve financiare e administrative për nismat e pavarura, veçanërisht për ato që tashmë kanë fituar mandate.
Sipas tyre, edhe pse ligjërisht nismat e pavarura kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, në praktikë ato përballen me pengesa administrative, financiare dhe mediatike që favorizojnë partitë politike.
Nismat theksojnë se propozimet e tyre mbështeten në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, standardet e Komisionit të Venecias dhe praktikat evropiane, të cilat kërkojnë që rregullat zgjedhore të mos krijojnë barriera të panevojshme për kandidatët dhe listat e pavarura.
Në fund të reagimit, ato u bëjnë thirrje Ministrisë së Drejtësisë, grupit punues për Kodin Zgjedhor, Kuvendit, partnerëve ndërkombëtarë dhe opinionit publik që reforma zgjedhore të zhvillohet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, ku të marrin pjesë të gjithë aktorët relevantë, përfshirë edhe nismat e pavarura qytetare.
Nismat që kërkojnë këto ndryshime janë: Shans për Qendrën, Të pavarurit së bashku, Më mirë për Tetovën, Rend për Kumanovën, Ndryshe – Manastirë, Të Gjelbrit e Gazi Babës, Mjaft është – Strumicë, Novo Sellë dhe Bosilovë, E mbroj Bellasicën – Novo Sellë dhe Lëvizja Drejtësi.
Përndryshe, Kodi Zgjedhor është një nga reformat e parapara me Agjendën e Reformave që Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë deri në fund të qershorit, përkatësisht edhe dy ditë. Kodi është një nga 10 reformat që ndodhen në të ashtuquajturën “grejs periudhë”, një afat shtesë deri në 12 muajsh, që përfundon në fund të muajit.