BDI: Për herë të parë që nga viti 2007, RTVM mbetet pa asnjë drejtor shqiptar

Pas emërimit të paligjshëm të zëvendësdrejtorit të RTVM-së, skandali është thelluar edhe më tej me faktin se shqiptarët kanë humbur edhe postin e drejtorit të Radios. Kështu kanë reaguar sot nga BDI-ja opozitare, raporton Portalb.mk.

Nga BDI thonë se për herë të parë që nga viti 2007, shqiptarët kanë mbetur pa asnjë pozitë drejtuese në nivel drejtorësh në RTVM, ndonëse bëhet fjalë për një institucion publik që financohet nga të gjithë qytetarët dhe që ka për detyrim ligjor të pasqyrojë karakterin multietnik të shtetit.

“Pas gati dy dekada është shuar praktika institucionale dhe profesionale, sipas së cilës, kur drejtori ishte maqedonas, njëra nga dy nëndrejtoritë kryesore: Radioja ose Televizioni, drejtohej nga një kuadër shqiptar. Kjo nuk ishte privilegj, por një mekanizëm për të garantuar balancën etnike, zhvillimin e barabartë programor dhe pavarësinë editoriale të servisit publik”, thonë nga BDI.

Ata akuzojnë se kjo u mundësua me heshtjen e anëtarëve shqiptarë të Këshillit Programor të emëruar nga VLEN, të cilët nuk e kundërshtuan emërimin e një kuadri maqedonas në krye të Radios, edhe pse ai funksion i kishte takuar shqiptarëve që nga viti 2007.

Ata thonë se për të tretën ditë me radhë, Këshilli Programor i RTVM-së hesht për emërimin e kundërligjshëm të zëvendësdrejtorit, një person që nuk i plotëson kushtet ligjore dhe kriteret e konkursit.

Kujtojmë se së fundmi Xhulian Shabani u zgjodh zëvendësdrejtor i Radio Televizionit të Maqedonisë (RTVM). Paraprakisht ky konkurs u anulua.

Ndryshe, zëvendësdrejtori i fundit në RTVM, ishte Harun Ibrahimi, ndërkohë për shkak se i njëjti kishte dalë në pension, nga viti 2021, RTVM kishte mbetur pa përfaqësues shqiptar.