Protestë e re kundër ajrit të ndotur: Usje mori “karton të verdhë” nga qytetarët
Një numër i madh qytetarësh u mblodhën mbrëmë në protestë në kryqëzimin e bulevardeve “Boris Trajkovski” dhe “Serbia”, pranë Çimentos Usje në Shkup, për të shprehur revoltën e tyre për shkak të ndotjes së madhe të ajrit në qytet, transmeton Portalb.mk.
Qytetarët edhe një herë përsëritën qëndrimet e tyre se kapaciteti industrial është një nga shkaktarët kryesorë të ndotjes dhe sërish kërkuan dislokimin e tij.
Në mënyrë simbolike, Usje dhe Ministria e Mjedisit morën “kartonë të verdhë” nga të pranishmit, të cilët theksuan se është i domosdoshëm monitorimi i pavarur i punës së fabrikës, pasi, siç theksuan organizatorët e iniciativës “Stop për Usjen”, qytetarët nuk kanë besim në rezultatet e matjeve që kapaciteti i bën dhe i publikon vetë.
Para disa ditësh, nga kompania “TITAN Usje” përsëritën se emetimet nga veprimtaria e tyre janë vazhdimisht nën vlerat kufitare të përcaktuara me ligj dhe se që nga viti 2007 ato monitorohen 24 orë.
“Kompania nuk ka mundësi të ndikojë në asnjë mënyrë mbi rezultatet. Procesi teknologjik e pamundëson funksionimin e repartit pa funksionimin e filtrave”, thanë nga TITAN Usje.
Kujtojmë se pas një sërë protestash dhe kërkesash nga iniciativat qytetare për ajër të pastër, Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos Usje jashtë qytetit. Tani Qeveria duhet të shqyrtojë mënyrën për të filluar procedurë për zhvendosjen e Usje dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë në vende të përshtatshme jashtë luginës së Shkupit.
Ndryshe, Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura.