“Talia e Flakës 2026” fillon të shtunën, në skenë edhe Teatri i Tetovës
Të shtunën do të fillojë festivali i dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore që mbledh krijimtarinë bashkëkohore shqiptare në një skenë të përbashkët. Përgjatë pesë netëve me radhë, në Teatrin e Gjilanit, publiku do të ketë mundësi të shohë shfaqje nga disa teatro shqiptare, me drama origjinale që trajtojnë tema sociale, historike dhe aktuale, përmes interpretimeve të aktorëve dhe regjisurave të ndryshme. Në këtë edicion do të paraqitet edhe Teatri i Tetovës, me shfaqjen “Dramë për të qesh”, shkruan Portalb.mk.
Vazhdojnë aktivitetet e manifestimit kombëtar “Flaka e Janarit” 2026, edicioni i 35-të, në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit ndër breza.
Me 24 janar (e shtunë) në orën 12:00 në Bibliotekën e Qytetit, “Fan S. Noli” në Gjilan, mbahet pjesa letrare, “Pena e Flakës” me tryezën letrare: Një trashëgimi letrare me vlera të mirëfillta. Kjo po bëhet në 30 vjetorin e kalimit në amshim të shkrimtarit të shquar, Beqir Musliut.
Ndërkaq që nga dita e shtunë, për çdo mbrëmje, në orën 20:00, në Teatrin e Gjilanit do të shfaqen dramat më të reja shqipe, ndërsa në natën e parë të festivalit do të prezantohet edhe Teatri i Tetovës me shfaqjen e tij “Dramë për të qeshë”.
Edicioni i 35 i “Flakës … 2026”, vijon deri më 31 Janar, me një sërë aktivitetesh kulturore të parapara në vijim, nëpër shtyllat përkatëse: Arte Skenike – “Talia e Flakës”; Arte Letrare – “Pena e Flakës” si dhe Arte Muzikore – “Xixat e Flakës” e “Fest Flaka”, në kujtim e nderim të heronjve dhe dëshmorëve ndër breza.
Talia e Flakës 2026”, realizohet në mbështetje të Komunës së Gjilanit, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Teatrit të Gjilanit e në organizim nga Varg e Vi.
