Qyteti i Shkupit dha dritë jeshile për zhvendosjen e fabrikës “Usje”

Pas një sërë protestash dhe kërkesash nga iniciativat qytetare për ajër të pastër, Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos Usje jashtë qytetit. Tani Qeveria duhet të shqyrtojë mënyrën për të filluarprocedurë për zhvendosjen e Usje dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë në vende të përshtatshme jashtë luginës së Shkupit, transmeton Portalb.mk

Kompania “Titan-Usje” mbetet e vendosur në qëndrimin e saj se operon në mënyrë të përgjegjshme dhe në përputhje me standardet më të mira mjedisore të Bashkimit Evropian.

Të enjten (25.12), u mbajt protestë e organizuar nga iniciativa “Stop Usjes”. Qytetarët kërkuan zhvendosjen e fabrikës, duke e akuzuar atë për ndotje të vazhdueshme të ajrit në Shkup.

“Mesazhi ynë është i qartë: s’ka më heshtje, s’ka më vonesa dhe s’ka më sakrificë të shëndetit të qytetarëve për hir të fitimit”, thanë organizatorët.

Pas një seance 13-orëshe, Qyteti i Gjelbër Human njoftoi se Këshilli miratoi unanimisht iniciativën e tyre me masat e mëposhtme:

  • Qyteti i Shkupit do t’i kërkojë Ministrisë së Mjedisit të hetojë nëse Usje dhe ndotës të tjerë industrialë i plotësojnë kërkesat ligjore.
  • Inspektorati Shtetëror do të kryejë inspektime të paparalajmëruara për të përcaktuar situatën aktuale.
  • Komunat do të duhet të marrin në konsideratë gjetjet në planifikimin urban.
  • Kryetari i Qytetit do t’i kërkojë Qeverisë të shqyrtojë procedurë për zhvendosjen e Usjes dhe ndotësve të tjerë jashtë luginës së Shkupit.

Përpara protestës, Titan-Usje hodhi poshtë akuzat se është fajtori kryesor për ndotjen. Kompania pretendon se operon në përputhje me teknikat më të mira të disponueshme dhe standardet e BE-së dhe se është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit.

Ndryshe, Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura.