Maqedonia e Veriut pa Kod Zgjedhor dhe pa garanci për miliona eurot nga BE-ja

Ministria e Çështjeve Evropiane nuk tregon nëse Komisioni Evropian e ka përfunduar vlerësimin e kërkesës së katërt për lirimin e mjeteve nga Plani i Rritjes, të dorëzuar më 15 korrik 2026. Afati për vlerësim është 90 ditë, të cilat tashmë janë tejkaluar, megjithatë Ministria nuk bën të ditur se sa hapa reformues janë pranuar nga Brukseli dhe sa mjete financiare pritet të lirohen, shkruan Portalb.mk.

Në përgjigjen për redaksinë tonë, Ministria thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin Evropian, ndërsa thekson se vlerësimi përfundimtar i secilit hap reformues është kompetencë e këtij institucioni. Sipas Ministrisë, vetëm pas përfundimit të procedurës së vlerësimit dhe konfirmimit të rezultateve do të bëhet e ditur se sa hapa janë pranuar dhe cila është shuma përkatëse e mjeteve që do të lirohen. Megjithatë, nuk sqaron nëse Komisioni tashmë ka dhënë ndonjë vlerësim paraprak apo përfundimtar.

“Ministria për Çështje Evropiane, në cilësinë e institucionit përgjegjës për koordinimin e Agjendës Reformuese, është në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin Evropian lidhur me vlerësimin e Kërkesës së Katërt për lirimin e mjeteve, të dorëzuar më 15 korrik 2026. Duhet theksuar se vlerësimi përfundimtar i përmbushjes së secilit hap është kompetencë e Komisionit Evropian. Për këtë arsye, është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet hapave të raportuar nga institucionet vendore dhe atyre të konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni. Pas përfundimit të procedurës së vlerësimit dhe konfirmimit të rezultateve, Ministria do të informojë në mënyrë transparente për numrin e hapave të pranuar dhe shumën përkatëse të mjeteve. Prioriteti ynë mbetet përmbushja cilësore e reformave dhe shfrytëzimi maksimal i mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e MÇE-së.

Paqartësi mbetet edhe për 4.28 milionë eurot e lidhura me miratimin e Kodit Zgjedhor, i cili ende nuk është miratuar. Ministria thotë se mosrealizimi i një hapi reformues brenda afatit fillestar nuk nënkupton automatikisht humbjen përfundimtare të mjeteve, pasi mekanizmi parasheh mundësi të kufizuara për përmbushjen e mëvonshme të reformave.

“Jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e kësaj reforme, e cila kërkon konsultime gjithëpërfshirëse, dialog ndërmjet subjekteve politike dhe respektim të rekomandimeve ndërkombëtare, veçanërisht atyre të OSBE/ODIHR-it. Sa i përket mjeteve financiare të lidhura me këtë hap, mekanizmi i Instrumentit për Reforma dhe Rritje parasheh kushte të qarta për lirimin e pagesave, si dhe mundësi të kufizuara për përmbushjen e mëvonshme të hapave, në përputhje me rregullat e zbatueshme. Prandaj, mosrealizimi i një hapi brenda afatit fillestar nuk duhet të barazohet automatikisht me humbjen përfundimtare të mjeteve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Megjithatë, ajo pranon se ruajtja e këtyre mjeteve nuk është e garantuar pa përmbushjen e kushteve dhe vlerësimin përkatës të Komisionit Evropian.

Ministria nuk konfirmoi nëse Qeveria ka zhvilluar konsultime konkrete me Komisionin Evropian për ndryshimin e afatit të kësaj reforme, ndërsa as nuk dha ndonjë qëndrim të qartë të Brukselit për fatin e shumës prej 4.28 milionë eurosh. Ajo thekson se përmes koordinimit institucional dhe dialogut me Komisionin do të shqyrtohen mundësitë që lejon korniza ligjore për realizimin e reformës dhe ruajtjen e mbështetjes financiare.

“Megjithatë, as ruajtja e tyre nuk mund të konsiderohet e garantuar pa përmbushjen e kushteve dhe vlerësimin përkatës të Komisionit Evropian. Angazhimi ynë është që, përmes koordinimit institucional dhe dialogut me Komisionin Evropian, të shqyrtohen të gjitha mundësitë e lejuara nga korniza ligjore për realizimin e reformës dhe ruajtjen e mbështetjes financiare”, thonë nga MÇE.

E paqartë mbetet edhe nëse do të rishikohet Agjenda Reformuese. Në përgjigjen e mëparshme, Ministria kishte paralajmëruar se do të shqyrtonte ndryshimet e mundshme pas konsultimeve me palët e interesuara dhe negociatave me Komisionin Evropian. Tani thotë se çdo ndryshim eventual duhet të mbështetet në analizën e progresit dhe të harmonizohet me Komisionin, por nuk tregon nëse ky proces ka nisur, nëse Kodi Zgjedhor do të përfshihet në propozimet për ndryshim apo kur pritet të përfundojë rishikimi.

“Sa i përket Kodit Zgjedhor, çdo propozim eventual për ndryshimin e afateve ose modaliteteve të zbatimit duhet të mbështetet në argumente të qarta, të jetë në përputhje me objektivat e Agjendës Reformuese dhe të shqyrtohet në konsultim me Komisionin Evropian. Duhet theksuar se rishikimi i Agjendës nuk nënkupton heqjen dorë nga reformat e dakorduara. Qëllimi është të sigurohet zbatimi i tyre në mënyrë efektive, duke ruajtur besueshmërinë e procesit dhe angazhimet e ndërmarra ndaj Bashkimit Evropian. Afatet konkrete për përfundimin e një procesi të tillë mund të përcaktohen vetëm pasi të harmonizohen qëndrimet institucionale dhe të qartësohet procedura me Komisionin Evropian. Për ne, rishikimi eventual duhet të jetë instrument për përshpejtimin e reformave, jo për shtyrjen e tyre pa rezultate”, thonë nga Ministria.

Sa u përket pagesave të tjera nga Plani i Rritjes, Ministria thotë se mosrealizimi i një reforme nuk nënkupton automatikisht pezullimin e të gjitha pagesave të tjera, pasi secili hap reformues ka vlerë të caktuar financiare. Megjithatë, ajo paralajmëron se Instrumenti për Reforma dhe Rritje përmban edhe kushte të përgjithshme, respektimi i të cilave është i rëndësishëm për vazhdimësinë e mbështetjes financiare.

Kështu, edhe pse Ministria nuk konfirmon se mosmiratimi i Kodit Zgjedhor do të ndikojë në këstet e tjera, nuk përjashton “rreziqe më të gjera financiare”.

“Në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, lirimi i mjeteve financiare është i lidhur drejtpërdrejt me përmbushjen e hapave reformues të përcaktuar në Agjendën Reformuese. Në parim, secili hap reformues ka një vlerë të caktuar financiare dhe vlerësohet sipas kushteve dhe treguesve përkatës. Kjo do të thotë se mospërmbushja e një reforme nuk nënkupton automatikisht pezullimin e të gjitha pagesave të tjera. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se Instrumenti për Reforma dhe Rritje përmban edhe kushte të përgjithshme, respektimi i të cilave është i rëndësishëm për vazhdimësinë e mbështetjes financiare. Për këtë arsye, Ministria e Çështjeve Evropiane do të vazhdojë koordinimin me institucionet përgjegjëse dhe komunikimin me Komisionin Evropian, me qëllim që të shmangen vonesat dhe të minimizohen rreziqet financiare. Qëllimi ynë është që çdo reformë e përmbushur të vlerësohet në mënyrë objektive dhe që qytetarët të mos privohen nga përfitimet e Planit të Rritjes për shkak të vonesave në procese të veçanta reformuese. Angazhimi ynë mbetet i qartë: përshpejtimi i reformave, ruajtja e besueshmërisë ndaj Bashkimit Evropian dhe shfrytëzimi maksimal i mjeteve financiare që i takojnë vendit”, thonë nga MÇE.

Kujtojmë se më 15 korrik 2026, Ministria e Çështjeve Evropiane dorëzoi në Komisionin Evropian kërkesën e katërt për lirimin e mjeteve nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje. Në përgjigjet e atëhershme për Portalb.mk, Ministria nuk tregoi se cilat reforma i kishte raportuar si të përmbushura dhe nëse Kodi Zgjedhor ishte përfshirë në kërkesë si reformë e parealizuar.

Ndërkohë, miratimi i Kodit Zgjedhor mbetet një nga detyrimet e papërmbushura të Agjendës Reformuese. Partitë politike nuk arritën marrëveshje për ndryshimet, ndërsa reforma është e lidhur me 4.28 milionë euro nga mbështetja financiare e Bashkimit Evropian.

Në këtë mënyrë, disa muaj pas dorëzimit të kërkesës së katërt dhe pas kalimit të afatit 90-ditor, ende nuk ka të dhëna publike për numrin e reformave të pranuara nga Komisioni Evropian, shumën që do të lirohet dhe fatin e mjeteve të lidhura me Kodin Zgjedhor.