Mbeturina plastike, bujqësore dhe tekstile u dogjën në fabrikën “Titan Usje”
Fabrika Titan Usje përdori biomasë, lëvore orizi dhe kafeje, mbetje të përzgjedhura nga industria tekstile, si dhe mbetje plastike që nuk mund të ripërdoren ose riciklohen për prodhimin e energjisë, informoi drejtori i Drejtorisë për Mjedisin Jetësor, Igor Nikoski, në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri, transmeton Portalb.mk.
Nikoski shpjegoi në detaje historikun e lejes së integruar mjedisore A të Titan Usje dhe shtoi se në fund të vitit 2018, fabrika Titan Usje filloi të përdorë lëndë djegëse alternative si zëvendësim për lëndët djegëse fosile, me një shkallë zëvendësimi deri në 15 përqind.
“Në fund të vitit 2018, Usje fillon të përdorë lëndë djegëse alternative si zëvendësim për lëndët djegëse fosile, me një shkallë zëvendësimi deri në 15 përqind. Lëndët djegëse alternative janë nga mbeturinat e ngurta, biomasa, mbeturinat bujqësore, lëvoret e orizit, nga mbetje të caktuara nga industria tekstile, dhe sipas raportit vjetor mjedisor nga viti 2024, nuk u importuan lëndë djegëse alternative për përdorim për shkak të ndalimit të importit të mbeturinave për qëllime energjetike, të përcaktuar në Ligjin për Mbeturinat. Në vitin 2024, u përdorën: biomasa, lëvore orizi dhe kafeje, mbetje të përzgjedhura nga industria tekstile, mbetje paketimi që nuk mund të riciklohen, si dhe mbetje plastike që nuk mund të ripërdoren dhe riciklohen”, deklaroi Nikoski.
Sipas tij, përdorimi i lëndëve djegëse alternative është pjesë e rekomandimeve për praktikat më të mira të disponueshme në industrinë e çimentos dhe është “i lidhur me parimet e ekonomisë rrethore, me qëllim uljen e përdorimit të lëndëve djegëse fosile jo të rinovueshme dhe uljen e emetimeve të gazrave serrë”.
Fabrika e çimentos “Usje” është një fabrikë e madhe industriale për prodhimin e klinkerit të çimentos në furra rrotulluese, me një kapacitet prej mbi 500 tonësh në ditë, shpjegoi ai, e cila në vitin 2007 paraqiti kërkesë për leje A për pajtueshmëri me planin operativ, e cila u mor në vitin 2011. Në vitin 2013, pohon Nikoski, u lëshua leje e integruar A për pajtueshmëri me planin operativ, e cila miratoi përdorimin e lëndëve djegëse alternative.
“Paraprakisht, “Usje” përgatiti një studim të detajuar për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe mori vendim për të dhënë pëlqimin për studim të vlerësimit të ndikimit në mjedis për një projekt për futjen e lëndëve djegëse alternative në “Usje” në vitin 2012. Pas zbatimit të procedurës së plotë, në vitin 2020 u lëshua leje e integruar ekologjike A”, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mjedisin Jetësor.
Siç shpjegoi Nikoski, leja është e vlefshme për shtatë vjet dhe “Usje” është e detyruar të paraqesë kërkesë për rinovimin e saj jo më vonë se 12 marsi 2026, një procedurë që do të përfshijë kushtet ligjore, pjesëmarrjen e publikut dhe zbatimin e teknikave më të mira të disponueshme, tha ai, me ç’rast Ligji i ri për Emetimet Industriale i miratuar në shtator 2025 mund të merret gjithashtu si udhëzues, megjithëse zbatimi i tij fillon në vitin 2027.
Lidhur me emetimet, Nikoski shpjegoi se në “Usje” ka gjithsej 12 pika emetimi në ajër – dy nga kazani me avull, dy nga furrat rrotulluese, dy nga ftohësi i klinkerit, katër nga mullinjtë e klinkerit dhe dy nga mullinjtë e karburantit. Gazrat e mbetura dhe pluhuri nga procesi i djegies kalojnë nëpër filtra qese, pas së cilës ato lirohen në atmosferë.
Në konferencën për shtyp folën edhe zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, dhe drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Ivana Ginovska, të cilat pohuan se inspektorët nuk zbuluan asnjë parregullsi në Titan Usje.