Protestë në Shkup: ‘Usje’ na helmon, të zhvendoset menjëherë
Qytetarët në Shkup kanë protestuar sot duke kërkuar zhvendosjen e fabrikës ‘Usje’ jashtë qytetit, pasi e njëjta po e ndot qytetin, transmeton Portalb.mk.
Petar Keramitiçev nga “Stop për Usjen” tha se muajt e fundit e kanë hulumtuar punën e fabrikës dhe kanë arritur në përfundime se ‘Titan’ është kompani ndërkombëtare që nuk përballet për herë të parë me probleme të tilla.
“Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në Amerikë dhe në Egjipt. Bëhet fjalë për një mafie që gjen mënyra ligjore për ta justifikuar atë që bën. Këtu kemi të bëjmë me kapital të huaj dhe drejtorë që po i helmojnë fëmijët tanë”, tha Keramitçiev.
Sot, pak orë para protestës, nga “Titan Usje” njoftuan se puna e tyre kontrollohet vazhdimisht nga Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, institucioni kompetent për të gjitha instalimet me Leje Ekologjike të Integruar të Tipit A, ndërsa kontrolli i fundit është kryer më 18 dhjetor të këtij viti, kur inspektimi ka konstatuar sërish se nuk ka devijime nga kufijtë ligjorë të lejuar.
Nga kompania theksuan se “Titan Usje” është kapacitet industrial me sistem shumë efikas dhe kompleks të filtrimit.
“Janë plotësisht të pasakta pretendimet se kompania i çaktivizon filtrat. Filtrat janë pjesë e pandashme e linjës së prodhimit, përkatësisht kur punojnë furrat, detyrimisht punojnë edhe filtrat”, thanë nga “Usje”.
Ndryshe, Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura.
- LEXO: “Stop për Usjen” me thirrje për bllokadë të qytetarëve të enjten: shëndeti po cenohet në kurriz të fitimit
- LEXO: Shkupi edhe sot është qyteti i dytë me ajrin më të ndotur në Evropë
- LEXO: Instituti i Shëndetit Publik në RMV rekomandoi kontrollin e cilësisë së ajrit përpara se të dilni jashtë
- LEXO: U tejkalua pragu i alarmit për grimcat PM 10 në pikat matëse në Shkup, Ministria e Mjedisit me rekomandime
- LEXO: Ndotje e rëndë e ajrit në RMV, nuk ka qytet që nuk është i mbytur me grimca PM