Disa skenarë për dislokimin e fabrikës “Usje”

Pas protestave të iniciativave ekologjike u hap mundësia për dislokimin e fabrikës së çimentos “Usje” nga Shkupi. Por ekspertët thonë se kjo procedurë është jashtëzakonisht komplekse dhe mund të zgjasë me vite. Në lojë janë disa skenarë, ndërsa rolin kyç e kanë Qeveria dhe institucionet kompetente, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.

Procesi mund të zgjasë nga 5-6 vjet

Ish-drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, Ana Petrovska, për DW tha se edhe sikur të fillohej menjëherë zbatimi i idesë mund të zgjasë nga pesë deri në gjashtë vjet.

“Fillimisht duhet të gjendet një lokacion dhe të zhvillohet një projekt urbanistik jashtë një zone të banuar. Pastaj vijon Studimi i ri për ndikimin, blerja dhe konvertimi i tokës, vendimi i Qeverisë, ndërtimi i një fabrike të re çimentoje dhe infrastrukturës së nevojshme”, shpjegon Petrovska.

Sipas saj është e mundur të kërkohet edhe një Studim për shembjen dhe çmontimin e fabrikës ekzistuese, gjë që e ndërlikon edhe më shumë procesin. “Për kërkimin e lokacionit, planifikimin urbanistik dhe studimet mund të kalojnë dy vjet para se të fillojë ndërtimi dhe të paktën tre vjet të tjera për ndërtimin dhe sanimin”, shton ajo.

Skenarët për dislokimin dhe rreziqet

Petrovska paralajmëron se ekziston një skenar realistik në të cilin kompania “Titan” mund të vendosë ta ndërpresë punën ose të shantazhojë duke pushuar nga puna punëtorët, nëse procesi tregohet si joprofitabil.

“Nëse ka vullnet politik dhe shteti ofron ndihmë – tokë shtetërore, bashkëpunim për dokumentacionin dhe ndoshta një kredi të favorshme nga institucionet financiare ndërkombëtare – çdo problem mund të zgjidhet. Është shumë e vështirë, por jo e pamundur”, thekson Petrovska.

Qeveria duhet ta bëjë hapin e radhës – deklaratë nga Kryeministri Mickoski

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj:

“T’i shohim përfundimet dhe do të veprojmë në përputhje me kompetencat tona. Për aq sa kam parë, kërkohen kontrolle dhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese, kjo nuk është problem. E sa i përket dislokimit edhe kjo gjë nuk është aspak problem për Qeverinë. Por dua të kaloj tek ajo që është më e rëndësishmja – ndotja është rezultat i dekadave të neglizhencës për të siguruar burime alternative të ngrohjes.”

Mickoski theksoi se qytetarët nuk kanë opsion për ngrohjen e shtëpive të tyre: “Nuk kemi ngrohje qendrore dhe gaz. Ne si Qeveri po punojmë në një projekt për një central kongjenerativ, vitin tjetër pres të kem më shumë detaje. Kjo do ta zgjidhë në masë të madhe problemin me ngrohjen, por kërkon kohë. Presioni është i madh, por ne e kemi një qëllim dhe po ecim drejt realizimit të tij.”

“Të gjithë e thithim të njëjtin ajër”, tha kryeministri, duke theksuar se nevojitet një zgjidhje sistemike.

DOM kërkon masa urgjente përderisa zgjat procedura

Nga Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë (DOM) paralajmërojnë se dislokimi i një kapaciteti si “Usje” është një operacion jashtëzakonisht i ndërlikuar juridiko-financiar pa kornizë të qartë kohore e as konstruksion financiar.

“Qytetarët nuk kanë kohë të presin zgjidhje juridike. Mushkëritë e fëmijëve tanë po mbushen me helme tani, këtë dimër”, thonë nga partia. Nga DOM insistojnë që të zbatohen masa konkrete si: monitorimi publik në kohë reale i emetimeve, zhvendosja kohore e remonteve, ndalimi i djegies së mbeturinave dhe përdorimit të karburanteve alternative, zhvendosja kohore e remonteve në muajt e dimrit, përmirësimi teknologjik me pastrues me ujë dhe përforcimi i inspektimeve për ndotësit e vegjël.

“Iniciativat janë të mira për rritjen e vetëdijes, por Shkupi ka nevojë për zgjidhje. Dislokimi është e ardhmja, por transparenca, monitorimi live dhe ndalimi i djegies së mbeturinave janë e tashmja që duhet ta sigurojmë”, thanë nga DOM.

Kujtojmë se pas një sërë protestash dhe kërkesash nga iniciativat qytetare për ajër të pastër, Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos Usje jashtë qytetit. Tani Qeveria duhet të shqyrtojë mënyrën për të filluar procedurë për zhvendosjen e Usje dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë në vende të përshtatshme jashtë luginës së Shkupit.

Përpara protestës, Titan-Usje hodhi poshtë akuzat se është fajtori kryesor për ndotjen. Kompania pretendon se operon në përputhje me teknikat më të mira të disponueshme dhe standardet e BE-së dhe se është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit.

Ndryshe, Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura.