Maliukeviçius: Ndikimi rus përpiqet të na dobësojë dhe të na detyrojë që të largojmë vëmendjen nga Ukraina

Fillimisht mendoja se qëllimi i operacioneve të ndikimit rus ishte të krijonte simpati të caktuara për regjimin rus dhe ideologjinë ruse. Por qëllimi i tyre kryesor tani është thjesht të krijojë më shumë kaos brenda shteteve fqinje, të na bëjë të kthejmë kokën dhe të merremi me problemet tona të brendshme, që ta ndërpresim mbështetjen për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus. Kështu, qëllimi kryesor i ndikimit rus është të shkaktojë një lloj kaosi në të gjithë Evropën që do të na bënte shumë më të dobët. Kështu e shpjegon në një intervistë për Meta.mk studiuesi lituanez, Dr. Nerijus Maliukeviçius, qëllimin e ndikimit rus, i cili po merr hov gjithnjë e më të madh, aq më tepër që ky vit, siç thotë ai, është “super-zgjedhor”, gjegjësisht do zhvillohen edhe zgjedhjet në Bashkimin Evropian edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në Rusi ku aktualisht janë duke u zhvilluar.

Ai shpjegon me precizitet se si përhapen dezinformatat që vijnë nga pala ruse, narrativat e rrejshme dhe gjithë procesi i ndikimit të tyre në Ballkanin Perëndimor dhe në botë.

“Mendoj se po përjetojmë një sulm të sofistikuar operacionesh kibernetike të informacionit, madje edhe më gjerësisht në Evropë. Kjo ndodh sepse regjimet autoritare, sidomos ai rus, e konsiderojnë këtë vit si një vit shumë të rëndësishëm në Evropë dhe në vendet evropiane – një vit zgjedhor. Ata po përpiqen të krijojnë mosbesim, përmes qëllimeve të tyre për të krijuar më shumë kaos që ta prishin procesin zgjedhor”, thotë Maliukeviçius.

Ai është ekspert i mediave dhe komunikimit strategjik dhe të krizave, autor i dy librave dhe publikimeve të shumta, me vështrim të veçantë te sfidat për trajtimin e narrativave të rreme, propagandës dhe dezinformatave. Historia e tij në këtë fushë daton që nga viti 2000.

“Isha veçanërisht i interesuar për ligjet e reja ruse që zbatoheshin e që quheshin “doktrina e re e sigurisë dhe informacionit” të Putinit, përmes së cilës Rusia do të fitonte kontrollin mbi informacionin në mënyrë që të mobilizonte fuqinë e Putinit në mbrojtje kundër çfarëdo ndikimesh të huaja, të cilat ai mendonte se ekzistojnë.
Më interesoi nga këndvështrimi im – se si mediat dhe politikat e informacionit mund të përdoren në një kohë që nuk ishte plotësisht autoritare,” tregon ai.

Pasi u thellua në këtë temë, ai shkroi disertacionin e tij me titull “Gjeopolitika e informative Ruse” ku përpiqet të shpjegojë se si Rusia e transformoi politikën tradicionale të “përça dhe sundo” në gjeopolitikë mediatike.

“Atëherë nuk është edhe aq e rëndësishme se si i kontrolloni territoret gjeografike, por si kontrolloni dhe luftoni kundër territoreve mendore, mendjes së njerëzve”, shpjegon Maliukeviçius.

Ai ishte në një vizitë dy-ditore në vendin tonë, gjatë së cilës mori pjesë në seminare, ligjërata dhe takime me palë të interesuara lokale, të organizuara nga Zyra e Ambasadës së Lituanisë dhe Delegacioni i BE-së në vend.