Dimitrieska-Koçoska mohoi se guvernatori Sllaveski e ka konsultuar për hyrjen e Alta Bankës në vend
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, thotë se nuk është konsultuar nga guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, lidhur me hyrjen e Alta Bankës në tregun e Maqedonisë dhe marrjen e Bankës Ekonomike të Manastirit (Stopanska banka Bitola), transmeton Portalb.mk.
Kjo vjen pas deklaratës së guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, se vendimi për dhënien e pëlqimit që banka serbe Alta të hyjë në strukturën pronësore të Bankës Ekonomike të Manastirit ishte marrë pas një procedure tremujore, në të cilën ishin përfshirë edhe institucione të tjera. Sipas tij, shërbimet mbikëqyrëse kishin vlerësuar se investitori i ri i plotësonte kushtet.
Ministrja, në një deklaratë për TV Telma, theksoi se as Ministria e Financave nuk kishte pasur asnjë komunikim me guvernatorin lidhur me këtë çështje, dhe as nuk ishte informuar se Alta Banka po negocionte për të hyrë në vend apo se cilat institucione dhe banka të tjera kishin shprehur më parë interesim.
“Ne si Ministri nuk kemi pasur absolutisht asnjë komunikim, as nuk e dinim se kjo bankë kishte zhvilluar negociata, dhe as nuk dinim se cilat institucione apo banka të tjera kishin qenë të interesuara më parë. Prandaj, me përgjegjësinë më të madhe pohoj se Ministria e Financave nuk ka pasur asnjë komunikim me guvernatorin lidhur me këtë çështje”, tha Dimitrieska-Koçoska.
Ajo tha se për zhvillimet aktuale rreth Alta Bankës është informuar kryesisht përmes mediave.
Sa i përket stabilitetit të sistemit bankar, dje në një intervistë për MRT-në, ajo vlerësoi se ai është stabil dhe se rasti i Alta Bankës ka pjesëmarrje pothuajse të papërfillshme në sektorin e përgjithshëm bankar.
“Sektori bankar në Republikën e Maqedonisë është stabil dhe kjo nuk është hera e parë që e them. Ky është rezultat i një përvoje dhe pune shumëvjeçare në sektorin bankar. Ligjet në Maqedoni janë ndër më të rreptat kur bëhet fjalë për këtë fushë ose për sistemin financiar në tërësi, ndërsa në veçanti do ta veçoja sistemin bankar”, tha ajo.
Ajo vlerëson se shqetësimi i klientëve të Alta Bankës është i arsyeshëm, veçanërisht i atyre që presin pagat ose kanë mjete në llogaritë e tyre në këtë bankë.
Ministrja theksoi se problemet nuk burojnë nga funksionimi i bankës në Maqedoni, por nga zhvillimet në kompaninë e saj amë, përkatësisht në bankën në Serbi.
“Kjo nuk është rezultat i problemeve që kishte banka në Maqedoni, por rezultat i asaj që po ndodh në kompaninë amë, pronare e bankës në Maqedoni, pra në bankën në Serbi. Prej andej fillojnë problemet, kështu që banka në Maqedoni vjen në një situatë kur mbetet pa pronar, përkatësisht ndryshojnë rrethanat atje dhe këtu lindin problemet”, tha ministrja.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të kenë besim në sistemin bankar dhe në institucionin kompetent që ka marrë nën kontroll bankën, duke shprehur pritjen se situata do të vihet nën kontroll.
Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, më 2 nëntor, në një paraqitje në emisionin e TV Telma, tha se qëndron plotësisht pas vendimit me të cilin i ishte dhënë pëlqimi bankës serbe Alta për të hyrë në strukturën pronësore të Bankës Ekonomike të Manastirit.
Sipas tij, vendimi ishte marrë pas një procedure tremujore, në të cilën ishin përfshirë edhe institucione të tjera, ndërsa vlerësimi i shërbimeve mbikëqyrëse ishte se investitori i ri i plotësonte kushtet.
I pyetur nga gazetarët se si ishte bërë vlerësimi për hyrjen e bankës serbe Alta në Bankën Ekonomike të Manastirit, duke qenë se është e rëndësishme të dihet se kush është aksionari, Sllaveski tha se Banka Ekonomike e Manastirit më parë kishte qenë në gjendje shumë të keqe.
Ai e përshkroi atë si një “bankë me këmbë prej qelqi”, e cila për pesë vjet kishte qenë nën mbikëqyrje intensive të Bankës Popullore.
“Ajo ishte një bankë shumë problematike. Ishte me këmbë prej qelqi. Për pesë vjet ishte nën mbikëqyrje intensive të Bankës Popullore. Aksionarët nuk arrinin të mbanin kuvend. Në fakt, banka ishte jofunksionale”, tha ai.
Guvernatori shtoi se banka ishte e qëndrueshme vetëm në afat të shkurtër, prej gjashtë muajsh deri në një vit, por nuk kishte perspektivë në afat të mesëm.
“Banka Ekonomike e Manastirit kishte një pronar që ishte në listën e zezë të SHBA-së. Kishte probleme me tejkalimin e kufirit të lejuar për pronësinë e aksioneve, si dhe me pronësinë përmes personave të tjerë. Banka ishte e qëndrueshme vetëm në një periudhë shumë të shkurtër. Le të themi, për gjashtë muaj deri në një vit. Nuk kishte të ardhme në afat të mesëm. Po të mos hynte investitori, deri më tani Banka Ekonomike e Manastirit nuk do të ekzistonte. Do të ishim në situatën që të aktivizohej Fondi për Sigurimin e Depozitave dhe të përballeshim me rastin fatkeq të Eurostandard Bankës”, tha guvernatori.
Lidhur me kontrollet para dhënies së pëlqimit, përkatësisht nëse i kishin përcjellë shkrimet në mediat serbe, Sllaveski u përgjigj se Banka Popullore u ishte drejtuar me shkrim Bankës Qendrore Evropiane dhe institucioneve të tjera rregullatore për të verifikuar nëse kishin procedura të hapura apo vërejtje lidhur me “Alta Group”.
Përgjigjet që kishin marrë, sipas guvernatorit, nuk kishin ngritur dyshime që do të konsideroheshin pengesë për hyrjen e Alta Bankës në Bankën Ekonomike të Manastirit.
Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.
Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.
- LEXO: Rasti Alta Bank, Sllaveski: Shqyrtohet mundësia që 3.500 pensionistë pa kartela të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë
- LEXO: Çka me paratë e “bllokuara” në Alta Bankë? Tre administratorë brenda 21 ditësh duhet të përcaktojnë gjendjen
- LEXO: Rasti i Alta Bankës: Degët e mbyllura, klientët të frikësuar
- LEXO: Është arrestuar Davor Macura, biznesmeni i afërt me ‘Partinë Përparimtare Serbe’ dhe pronar i Alta Bankës
- LEXO: Banka Popullore e RMV-së mori nën administrim “Alta Bankën” në Manastir, kufizoi tërheqjet nga llogaritë e klientëve
- LEXO: “Alta Banka” mbante shuma të mëdha parash të gatshme, ndërsa jepte më pak kredi se bankat konkurruese