Bekim Sali për rastin “Alfa”: Do të ndihmoj për shëndetin e Agim Islamit, rishikimi i rastit është çështje e gjyqësorit
Disa javë pasi një mik i Agim Islamit, të dënuar me burgim të përjetshëm në rastin “Alfa”, ngriti përmes Portalb.mk shqetësimin për përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore, zëvendëskryeministri Bekim Sali u shpreh i gatshëm të ndihmojë në sigurimin e trajtimit të nevojshëm mjekësor. Megjithatë, sa i përket kërkesës së Islamit për rishikimin e rastit, Sali theksoi se kjo çështje është në kompetencë të gjyqësorit, pa paralajmëruar ndonjë hap konkret nga ana e tij.
Në një prononcim për Portalb.mk, Bekim Sali thotë se institucionet përgjegjëse kanë për obligim të kujdesen për shëndetin e personave që vuajnë dënimin me burg. Ai shtoi se është i gatshëm të ofrojë ndihmën e tij për Agim Islamin.
“Sa i përket gjendjes shëndetësore të Agim Islamit, shëndeti dhe dinjiteti i çdo personi të privuar nga liria duhet të mbrohen. Institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të sigurojnë kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Për këtë jam i gatshëm ta ofroj ndihmën time, sepse këtë ia kemi detyrim secilit qytetar”, deklaroi Sali.
Për kërkesën e familjes dhe mbrojtjes për rishikimin e rastit “Alfa”, Sali tha se familjarët kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë mundësitë ligjore, ndërsa përgjegjësinë për trajtimin e çështjes ua la institucioneve të drejtësisë.
Ai nuk tregoi se çfarë angazhimi konkret ka ndërmarrë deri më tani për të ndihmuar në rishikimin e rastit.
“Kjo është çështje e ndjeshme, me dimension të rëndësishëm njerëzor dhe juridik, e cila meriton trajtim serioz dhe institucional. Prandaj edhe kam qenë shumë i kujdesshëm me deklarimet publike dhe nuk kam dashur në asnjë rast të lë nënkuptime të padëshirueshme në lidhje me këtë rast. Familjarët kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe shfrytëzimin e të gjitha mundësive ligjore për rishikimin e rastit. Angazhimi ynë është që kjo çështje të mos mbetet pa vëmendjen e institucioneve kompetente”, tha Sali.
Ai shtoi se ka kërkuar që rasti të trajtohet dhe të merren parasysh edhe faktet e paraqitura ndërkohë. Megjithatë, Sali tha se nuk dëshiron të paragjykojë epilogun e rastit dhe se vendimi për rishikimin i takon gjyqësorit.
“Ajo që e kam bërë dhe vazhdoj ta bëj si politikan është që të kërkojmë që ky rast të trajtohet dhe të merren në konsideratë edhe faktet që janë dhënë ndërkohë. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk dua të prejudikoj ndonjë epilog, andaj do të mjaftohem me këtë shpjegim. Por, duhet të jemi të qartë se vendimet gjyqësore dhe procedurat për rishikimin e tyre janë kompetencë e organeve të drejtësisë. Ne duhet ta ruajmë pavarësinë e gjyqësorit, gjithnjë duke u angazhuar që çdo mundësi e paraparë me ligj të shqyrtohet me seriozitet”, u shpreh Sali.
Ndërkohë, Ramiz Dauti, shok i Agim Islamit, më herët për Portalb.mk kishte deklaruar se gjendja e tij shëndetësore, si fizike ashtu edhe psikike, ka filluar të përkeqësohet pas 18 vitesh në burg. Dauti tha se familja është takuar me Salin dhe ish-zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, por ende është në pritje të një zgjidhjeje konkrete për rishikimin e rastit.
“Kemi pasur takim me ish zvëvendëskryeministrin Izet Mexhitin, kemi pasur edhe me Bekim Salin dhe ende jemi në pritje për diçka konkrete. Na kanë thënë që kanë mirëkuptim me palën maqedone të koalicionit, VMRO-në, që të gjendet ndonjë zgjidhje ligjore për ta rishikuar rastin edhe njëherë. Ajo pjesë prapë ngelet nga politika, a do të formohet komision, apo metodologjia si do të jetë, presim nga ata”, pati deklaruar Dauti.
Kujtojmë se Rasti “Alfa” lidhet me vrasjen e pjesëtarit të njësitit policor “Alfa”, Afrim Arifi, më 26 nëntor 2008 në Shkup. Për këtë vrasje, Agim Islami dhe Rexhail Qerimi u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri me gjashtë vjet burg. Rexhail Qerimi vdiq në burgun e Idrizovës më 27 janar 2022.
Gjykata Penale në Shkup në dhjetor të vitit 2024 e refuzoi kërkesën e Agim Islamit për përsëritjen e gjykimit. Në prill të vitit 2025, Gjykata e Apelit e refuzoi edhe ankesën kundër këtij vendimi.
- LEXO: Gjendja e Agim Islamit është rënduar në burg, familja kërkon zgjidhje për rastin “Alfa”
- LEXO: Rastet e “montuara” assesi të “çmontohen” nga premtimet politike
- LEXO: Ka ndërruar jetë Rexhail Qerimi, i dënuar për rastin “Alfa”
- LEXO: Gjykata Supreme refuzoi ankesën për “Alfa-n”, pamundësohet rigjykimi për Agim Islamin
- LEXO: Pas shumë viteve zvarritje në labirintet e Gjykatës, ia arritën qëllimit që faji të më ngelet mua, deklaroi Agim Islami