Prokuroria me njoftim në lidhje me përgjimet e mundshme në Maqedoninë e Veriut

Në lidhje me përgjimet e mundshme që janë realizuar nga Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK), Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sqaroi që është duke vepruar në përputhje me përgjegjësitë ligjore, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të interesit të shtuar publik në lidhje me abuzimin e mundshëm të pushtetit nga anëtarët e shërbimeve të sigurisë dhe përgjimin e paligjshëm të komunikimeve, PTHP NKOK) informon publikun se po vepron në përputhje me kompetencat e saj ligjore dhe parimin e garantuar kushtetues të ligjshmërisë dhe barazisë para ligjit”, njoftoi Prokuroria.

Zyrat e Agjencisë për Siguri Kombëtare sot i ka vizituar një ekip hetues të Prokurorisë, ku dy institucionet u pajtuan për dinamikën e kontrollit të dokumentacionit.

Prokuroria sqaroi se ndërkohë do të merren edhe veprime tjera parahetimore, ndërsa kërkoi nga mediat të përmbahen nga informimi i parakohshëm, duke premtuar se do të informojnë në momentin kur do të vlerësojnë se informacionet e publikuara nuk do ta dëmtojnë aktivitetet parahetimore.

Ndryshe, sot është shtyrë seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK) dhe Agjencisë së Zbulimit (AZ) që duhej të diskutonte pretendimet për përgjime të paligjshme në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024.

Këto pretendime vijnë nga kryeministri aktual, Hristijan Mickoski, i cili dyshon se është përgjuar në periudhën kur ishte lider i opozitës, së bashku me disa biznesmen dhe gazetarë. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga ish-drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski.

Kujtojmë se në vitin 2016, kur Zoran Zaev shpaloste bombat, u zbulua se, përmes tri sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008-2015 në mënyrë joligjore janë ndjekur 4.286 numra telefonik për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësor. Komunikimi është ndjekur para se të dorëzohen dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlerës së urdhrit gjyqësor  me numër 1.541 ose gjithsej 5.827 numra telefonik. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.