Prokuroria ngriti hetim ndaj një grupi kriminal të përfshirë në zhvatje dhe pastrim parash

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj katër personave, për të cilët ekziston dyshimi se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal dhe kanë kryer veprime të pastrimit të parave dhe zhvatjes, transmeton Portalb.mk.

Për tre prej tyre, gjatë ditës së sotme, gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup i është dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa personi i katërt prej një periudhe të caktuar ndodhet jashtë shtetit.

Për një periudhë të gjatë kohore, përkatësisht që nga viti 2021, grupi i formuar nga i dyshuari i parë, një banor i Kumanovës, me kërcënime të rënda ka zhvatë para nga persona të dëmtuar, duke i detyruar dhe duke shfrytëzuar kryesisht gjendjen e tyre të varësisë për shkak të huave të mëparshme.

Në një rast, një grua e dëmtuar i kishte kërkuar të dyshuarit të parë një hua prej 4.000 eurosh, duke pranuar gojarisht që ta kthente brenda një muaji, me interes prej 2.500 eurosh. Edhe pse ajo ia kishte kthyer të gjithë shumën e dakorduar, ai i kishte kërkuar që ta përdorte llogarinë e saj bankare për të vënë në qarkullim para të përfituara nga zhvatja.

Pasi gruaja kishte refuzuar, ai kishte filluar ta kërcënonte, duke kërkuar që automjetin e saj ta vendoste si gjoja peng për borxhe fiktive. Me urdhër të të dyshuarit ishte përgatitur një kontratë fiktive për shitblerjen e automjetit, sikur ai të shërbente si garanci për një hua të pretenduar. Përveç kësaj, ishte përgatitur edhe një kontratë tjetër fiktive për hua në vlerë prej 1.000.000 denarësh.

Në kontratat e pengut dhe të huas, të dyshuarit kishin falsifikuar nënshkrimin e gruas së dëmtuar si huamarrëse dhe, pa dijeninë e saj, i kishin noterizuar ato.

Noteri që kishte lejuar noterizimin e këtyre dokumenteve të rreme dyshohet për punë të pandërgjegjshme në shërbim. Për të, Gjykatës i është dorëzuar propozim për caktimin e masave të kujdesit.

Duke u mbështetur në këto kontrata, grupi i të dyshuarve kishte filluar sërish ta kërcënonte gruan, duke i kërkuar që t’ua dorëzonte automjetin dhe t’ua kthente borxhin e pretenduar. Në bazë të kontratave, pronësia e automjetit ishte bartur në emër të njërit prej të dyshuarve, ndërsa më pas gruaja ishte detyruar t’ua paguante edhe borxhin e pretenduar në para.

Një person tjetër i dëmtuar, që në vitin 2021, kishte marrë hua në dy raste nga 180.000 denarë nga i dyshuari që organizonte grupin. Paratë i nevojiteshin për trajtimin mjekësor të bashkëshortes së tij.

Edhe pse, në përputhje me kontratat e huas, ai i kishte kthyer paratë, të dyshuarit kishin vazhduar t’i kërkonin pagesa shtesë në emër të interesit. Duke shfrytëzuar gjendjen e tij të varësisë, ata e kishin detyruar që ta përdornin llogarinë e tij bankare për të transferuar shuma të mëdha parash të përfituara nga zhvatja, duke i paraqitur ato si hua formale dhe më pas duke i tërhequr në para të gatshme.

Policia disponon prova dhe fakte të konsiderueshme për aktivitetet e të dyshuarve, të cilat i kanë kryer nga viti 2021 e deri më sot, konfirmoi drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BSP), Aleksandar Janev.

Sipas Janevit, aksioni policor pasoi pasi një qytetar mori guximin të informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), pas së cilës shërbimet kompetente ndërmorën veprime për mbledhjen e provave materiale. Janev theksoi se policia vepron pa tolerancë ndaj çdo kryerësi të veprave penale, pavarësisht nëse fshihet pas emrave apo grupeve të caktuara.

Ai shtoi se në të gjitha lokacionet e personave të dyshuar janë kryer bastisje, gjatë të cilave janë gjetur shuma të mëdha parash dhe dokumente, të cilat dëshmojnë se ata merreshin me huadhënie parash dhe zhvatje.

Në bazë të këtyre gjetjeve, Janev tha se është propozuar edhe bastisja e një zyre noteriale në Kumanovë. Gjithashtu, është njoftuar edhe Banka Popullore, pasi janë gjetur mjete financiare që dyshohet se kanë origjinën nga një këmbimore në pronësi të vëllait të njërit prej të dyshuarve.

“Banka Popullore po kryen kontroll dhe revizion për të konstatuar nëse paratë e gatshme burojnë nga këmbimorja”, theksoi Janev.

Ai bëri të ditur se gjatë procedurës dhe bastisjeve pritet të sekuestrohen edhe automjetet, dokumentacioni i plotë, telefonat dhe të gjitha sendet e tjera që mund të jenë me interes për hetimin. Në koordinim me prokurorin publik kompetent për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të dorëzohet edhe kallëzimi përkatës penal.

Ekipet policore nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) sot në mëngjes kanë kryer bastisje në disa lokacione, në kuadër të një aksioni të ri të koordinuar nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK).