Ish-drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski: Mickoski nuk është përcjellë dhe përgjuar gjatë kohës sime në Agjenci

Ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK), Viktor Dimovski, këtë mëngjes dha përgjigje për akuzat për abuzime në Agjenci që u bënë gjatë periudhës kur edhe ai ishte në krye të shërbimit, dhe që lidhen me monitorimin dhe përgjimin e liderit të atëhershëm të opozitës, dhe tani kryeministër Hristijan Mickoski, biznesmenëve dhe gazetarëve, transmeton Portalb.mk.

Dimovski e publikoi përgjigjen në profilin e tij në Facebook.

Në të, në paragrafin e dytë, pa përmendur emra, ai thotë se gjatë periudhës kur ai ishte në krye të ASK-së, lideri i partisë së atëhershme opozitare nuk ishte subjekt i interesit të veçantë operativ të Agjencisë, as nuk u aplikuan masa operative-teknike kundër tij.

Këto pretendime të ish-drejtorit të ASK-së bien ndesh me ato të bëra dje nga kryeministri Hristijan Mickoski, i cili tha se si Agjencia e Kundërzbulimit (AK) ashtu edhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK) “u morën” me të, gjegjësisht, ai u përgjua ndërsa ishte në opozitë, dhe se gazetarët dhe biznesmenët ishin gjithashtu objektiva të përpunimit operativ.

Drejtori aktual i Agjencisë përgjegjëse për sigurinë shtetërore dhe kundërzbulimin, Bojan Hristovski, nuk dha më shumë informacion në lidhje me rastin që ata iniciuan, sepse, siç tha ai, dokumentet janë të klasifikuara me një shkallë të lartë sekreti, por tha se gjithashtu kanë indikacione se një ish-drejtor dhe një grup më i vogël punonjësish në institucion kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe se Prokuroria Publike kompetente është njoftuar për këtë.

Në përgjigjen e tij sot, Dimovski i vlerësoi këto akuza nga kryeministri dhe drejtori aktual i ASK-së si akuza serioze për keqpërdorim të supozuar të burimeve shtetërore për të përgjuar ish-liderin e opozitës (tani kryeministrin), biznesmenët dhe gazetarët.

“Duke pasur parasysh se brifingu paraprak me gazetarë në ASK përmendi periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024, gjatë së cilës unë shërbeva edhe si drejtor i ASK, deklaroj me përgjegjësi se ai, si udhëheqës i partisë së atëhershme opozitare, nuk ishte subjekt i interesit të veçantë operativ të Agjencisë në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2022, nuk ishte subjekt i punës së organizuar operative dhe, për rrjedhojë, nuk ishte një objektiv kundër të cilit u aplikuan masa operative-teknike”, thotë Dimovski.

Nga ana tjetër, ish-drejtori i ASK-së konfirmon disa nga akuzat e publikuara javën e kaluar, të cilat lidhen me një procedurë për marrjen e një certifikate sigurie për një deputet nga opozita e atëhershme, e cila, sipas gjetjeve të udhëheqjes aktuale të shërbimit, ishte vonuar qëllimisht.

“Është e vërtetë se gjatë periudhës së lartpërmendur, në përputhje me kompetencat ligjore, Agjencia kishte një procedurë për shqyrtimin e kontrolleve të autorizimit të sigurisë, përfshirë edhe për një deputet të atëhershëm dhe aktual për zbulimin e informacionit të klasifikuar, për të cilin u ngrit kallëzim penal përkatës në prokurorinë kompetente. Në këtë drejtim, me kërkesën time, në rendin e ditës të Komisionit kompetent parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së AK dhe ASK-së u përfshi një pikë për informimin rreth rastit dhe pretendimeve të bëra prej tij në mediat elektronike”, thotë Dimovski.

Për shkak të seriozitetit të pretendimeve të bëra nga kryeministri dhe drejtori aktual i ASK-së, Dimovski i bën thirrje Hristovskit që menjëherë dhe urgjentisht të deklasifikojë dokumentet mbi abuzimet e dyshuara, veçanërisht ato që lidhen me udhëheqësin e atëhershëm të opozitës dhe kryeministrin aktual, Hristijan Mickoski.

“Publiku mka të drejtë të dijë se kush e propozoi, kërkoi, miratoi dhe kush e kreu përgjimin e supozuar”, thotë ish-drejtori i ASK-së.

Së fundmi, Dimovski thotë se në këtë rast nuk duhet të ketë fshehje të informacionit të klasifikuar me nivelin e sekretit shtetëror, veçanërisht pas disa publikimeve të fundit në disa, siç i quan ai media të informuara, të cilat nxjerrin emra specifikë të personave që dyshohet se janë shënjestruar nga Agjencia, duke përfshirë të dhëna mbi identitetin e punonjësve dhe bashkëpunëtorëve sekretë.

Ndërkohë sot në seancën e qeverisë së hapur mes Partneritetit për Qeverisje të Hapur dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mickoski përsëriti se shteti po përballet me skandal të ri – përgjim të paligjshëm dhe keqpërdorim masiv të sistemit gjatë viteve të fundit.

“Unë personalisht, atëherë si kryetar i partisë më të madhe opozitare, e sot si kryeministër, bashkë me gazetarë, media, biznesmenë dhe figura publike kemi qenë viktima të sistemit që i ka përgjuar qytetarët e vet. Ky nuk është sulm vetëm ndaj meje, por ndaj demokracisë, ndaj të drejtës për liri, ndaj themeleve të shtetit.
Dua të përcjell një mesazh:  Nuk do të ketë drejtësi selektive. Do të ketë përgjegjësi. Do të ketë zgjidhje ligjore. Populli ynë për shumë kohë ka qenë viktimë e keqpërdorimeve, e skemave korruptive dhe e qendrave të fshehta të pushtetit. Koha e të paprekshmëve ka përfunduar”, deklaroi Mickoski.

Dimovski ishte drejtori i parë i ASK-së, e cila u krijua pas reformave të sistemit të sigurisë së vendit. Ai e udhëhoqi Agjencinë që nga themelimi i saj në vitin 2019 deri në vitin 2022, kur Zarko Milloshevski mori vendin e tij.

Akuzat, të cilave Dimovski po u përgjigjet sot në një postim në Facebook, erdhën pasi u njoftua të premten se Agjencia e Sigurisë Kombëtare kishte paraqitur tre raporte në Prokurorinë Publike në lidhje me një ish-drejtor dhe një grup punonjësish të ASK-së për shkak të indikacioneve për sjellje të paligjshme, joprofesionale dhe joetike.

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe drejtori aktual i Agjencisë, Bojan Hristovski, i konfirmuan mbrëmë, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske në kremtimin e përvjetorit të themelimit të ASK-së.

Si Mickoski ashtu edhe Hristovski nuk donin të hynin në detaje sepse, siç thanë ata, dokumentet klasifikohen si sekrete shtetërore, por të dy shprehën pritjen që çështja të marrë një zgjidhje ligjore dhe ata që janë përgjegjës do të ndëshkohen.

“Të dyja agjencitë – Agjencia e Kundërzbulimit dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare – u morën plotësisht, në atë kohë, me kryetarin e partisë më të madhe opozitare, pra me mua, ndër të tjera, me gazetarët dhe biznesmenët. Pra, le t’i japim kohë procesit të ecë, le të shohim se çfarë do të thotë Prokuroria, gjyqtarët, sigurisht, në një proces gjyqësor”, tha kryeministri.

Ai shtoi se pret që këta, siç i quajti ai, brejtës të përfundojnë aty ku u takon – pas hekurave dhe t’i japin fund njëherë e përgjithmonë abuzimit të kësaj agjencie dhe burimeve që kanë në dispozicion.

Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Hristovski, tha se në vitin 2019 Agjencia nuk ishte një institucion i reformuar, por më tepër një fasadë.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK), së cilës ASK i dorëzoi raportet, dje iu përgjigj pyetjeve gazetareske me qëndrimin se një procedurë paraprake hetimore është duke u zhvilluar aktualisht dhe për shkak të sekretit të saj ata nuk mund të ndajnë më shumë detaje.

Lidhur me akuzat për abuzime në Agjencinë e Kundërzbulimit dhe ASK, partia në pushtet VMRO-DPMNE reagoi sot, duke akuzuar kundërshtarin e saj politik LSDM për përgjimet që ndodhën gjatë kohës së tyre dhe me urdhër të tyre.

“Padyshim, gjatë asaj periudhe pati përpjekje për diskreditim politik, të cilin koha e tregoi se nuk pati sukses për LSDM-në”, tha VMRO-DPMNE.

Kujtojmë se në vitin 2016, kur Zoran Zaev shpaloste bombat, u zbulua se, përmes tri sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008-2015 në mënyrë joligjore janë ndjekur 4.286 numra telefonik për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësor. Komunikimi është ndjekur para se të dorëzohen dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlerës së urdhrit gjyqësor  me numër 1.541 ose gjithsej 5.827 numra telefonik. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.