Besa Arifi: Është vështirë të vendoset drejtësi në një vend ku ende stabiliteti politik nuk është i qëndrueshëm

Gjendja aktuale me nivelin e ulët të besueshmërisë së qytetarëve të RMV-së në gjyqësor vjen si pasojë e faktit se gjatë viteve të kaluara drejtësia sërish u sakrifikua në altarin e politikës, ndërkaq është vështirë të vendoset drejtësi në një vend ku s’ka stabilitetit politik. Kështu deklaron në intervistë për Portalb.mk profesoresha universitare, Besa Arifi.

Me profesoreshën Arifi flasim për reformat në drejtësi, Këshillin Gjyqësor dhe integrimin e vendit në BE.

Intervistoi: Suad Bajrami

A është popullata më shumë e zhgënjyer se sa që shteti ka bërë reforma?

Gjithmonë ka një dallim me pritshmërive dhe realizimeve kur është fjala për reforma esenciale në shoqëri. Në kohëra të trazirave të mëdha dhe të derrogimit të thellë të vlerave shoqërore, reformat e planifikuara kanë për qëllim të relaizojnë ndryshime thelbësore në shoqëri, por në fakt, inercioni i derrogimit të mëparshëm e bën të veten dhe shpesh e pamundëson një ndryshim rrënjësor në shoqëri. Kjo ndodhi edhe në shoqërinë tonë, veçanërisht kur bëhet fjalë për reformat në gjyqësor dhe realizimin e drejtësisë. Të kujtojmë që në vitin 2016 në protestat mbarëpopullore që u zhvilluan atëherë, motoja kryesore e qytetarëve ishte “Pa drejtësi nuk ka qetësi”. Të gjithë prisnin realizimin e kësaj drejtësie në mënyrë që shoqëria të qetësohet. Por në fakt ajo që ndodhi ishte se të akuzuarit kryesorë u arratisën, kryeprokurorja speciale përfundoi e dënuar për korrupsion, rastet më të rëndësishme të ish prokurorisë speciale përfunduan me parashkrim, ndërsa në ndërkohë u ndryshua edhe Kodi Penal ku u shkurtuan dënimet pikërisht për disa vepra të korrupsionit që automatikisht solli edhe te afatet më të shkurtëra të parashkrimit të tyre. Në një gjendje të tillë, zhgënjimi është i natyrshëm.

Sa është fajtore politika për nivelin e ulët të besueshmërisë së qytetarëve në gjyqësor?

Gjendja aktuale me nivelin e ulët të besueshmërisë në gjyqësor vjen si pasojë e faktit se gjatë viteve të kaluara drejtësia sërish u sakrifikua në altarin e politikës. Është vështirë të vendoset drejtësi në një vend ku ende stabiliteti politik nuk është i qëndrueshëm. Në aspektin politik ndërkombëtar vendi gjatë viteve të kaluara ka bërë përparim të rëndësishëm. Të mos harrojmë se procesi i integrimit në NATO dhe në UE ishte ngushtë i lidhur me procese të rëndësishme politike si Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja me Bullgarinë. Këto procese ishin të rënda për një pjesë të shoqërisë dhe politikanët që ishin në pushtet nuk e kishin të lehtë të sigurojnë përkrahje për të ecur përpara. Për fat të keq, çmimi që u pagua në këtë drejtim ishte i lartë: sakrifikimi i drejtësisë ndodhi gjatë amnistisë së pjesshme për rastin e 27 Prillit të vitit 2017, ku u amnistuan ata që në mënyrë terroriste e sulmuan Kuvendin për të penguar transferin e qetë të pushtetit pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Kjo u bë me qëllim që të sigurohet shumica e nevojshme për ndryshimet kushtetuese që më pas mundësuan anëtarësimin tonë në NATO dhe fillimin e procesit të skriningut për në UE. Këto janë arritje të mëdha politike të cilat na drejtuan strategjikisht aty ku duhet të jemi, por çmimi që u pagua pamundësoi vendosjen e drejtësisë në raste esencialisht të rëndësishme për sundimin e së drejtës.

Si e shihni zgjidhjen e “varrës së hapur” të Këshillit Gjyqësor, i cili në vazhdimësi është në shënjestër të kritikave, por askush nuk merr përgjegjësi?

Këshilli Gjyqësor u formua në bazë të reformave paraprake të gjyqësorit, kur u ndryshua Kushtetuta me qëllim që gjyqtarët të mos zgjidhen në Kuvend, ku grupimet politike janë të dukshme, dhe u krijua rregulla që ato të zgjidhen nga një trup i pavarur që duhej të ishte Këshilli Gjyqësor. Pra juridikisht ne e bëmë atë që duhej të bëhet për të siguruar një gjyqësor të pavarur. E megjithatë, në vitet e kaluara pamë çfarë ndodhi me Këshillin Gjyqësor që na tregon se nuk mjafton vetëm në letër të krijojmë institucione të pavarura. Pavarësia e një institucioni vjen nga njerëzit që janë pjesë e tij. Nëse ata nuk tregojnë integritet personal dhe nëse nuk e zbatojnë në praktikë pavarësinë dhe lirinë e tyre duke u bërë ballë presioneve të mundshme që mund ti kenë nga strukturat politike, institucionet tona nuk do të jenë të pavarura edhe gjatë kohë.

Sa ndikon gjendja e gjyqësorit në ikjen e popullatës, e cila nuk ka besim në drejtësi?

Lidhur me këtë duhen bërë studime të detajuara për të kuptuar arsyet e vërteta se përse njerëzit largohen nga shteti. Ajo që mund të vërehet në vitet e fundit është se njerëzit dhe veçanërisht të rinjtë duan të migrojnë në vendet perëndimore jo vetëm për arsye ekonomike, por tani më për arsye tjera që lidhen me funksionimin e institucioneve, sundimin e së drejtës, kualitetin e jetës, pastërtinë e ambientit, sigurinë sociale dhe qasjen deri te institucionet arsimore dhe shëndetësore. Prandaj mendoj se gjendja e përgjithshme e institucioneve tona ndikon shumë në migrimin e popullatës.

A besoni që me këtë nivel të gjyqësorit mund të anëtarësohemi në BE?

Anëtarësimi në BE është proces i gjatë dhe i mundimshëm në të cilin gjyqësori do të analizohet që në fillim e deri në mbarim të procesit të anëtarësimit. Në këtë proces edhe gjyqësori domosdoshmërisht do të përmirësohet në mënyrë që të përmbushen kriteret e rrepta të UE që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës.