Koha kalon, drejtësia vonon

Koha kalon dhe po bëhen plot tetë vite nga 12 prilli i vitit 2016, dita kur presidenti i atëhershëm Ivanov i shpalli faljet e tij kontroverse të cilat e bënë lëmsh tentativën e atëhershme për të vendosur drejtësi për skandalin e përgjimeve dhe indicjet për korrupsion të niveleve të larta që dolën në shesh me atë skandal. Koha kaloi, por drejtësia nuk u vendos në tërësi.

Në kohën kur Ivanov i solli ato falje skandaloze, qëllimi ishte të sabotohej puna e Prokurorisë Speciale që sapo ishte krijuar dhe po bënte hetime për raste të shumta të korrupsionit në bazë të indicijeve të dala nga bisedat e përgjuara. Ishte institucioni i vetëm i krijuar në formë ad hoc që ngjalli shpresë tek populli se drejtësia mund të realizohet. Pastaj pikërisht kreu i atij institucioni e vetësabotoi veten dhe përfundoi e dënuar për korrupsion, krahas të dënuarve tjerë që vetë ajo i kishte ndjekur.

Po të shihen vitet që kaluan mund të përfundojmë që në përgjithësi, i është bërë një sabotazhë e madhe drejtësisë, gjë që ndikon edhe në disponimin e përgjithshëm të popullit kur shprehet i pashpresë se ndryshimet esenciale vërtet mund të ndodhin. Sepse një ndryshim pa vendosje të mirëfilltë të drjetësisë nuk është ndryshim.

Ajo që është e vështirë të bëhet është vendosja e drejtësisë në kushte krize, në kushte kur vendi nuk e ka ende të qartë se ku dëshiron të shkojë dhe me kë, a dëshiron lindjen apo perëndimin, diktaturën apo demokracinë, drejtësinë e mirëfilltë apo atë sa për sy e faqe. Drejtësia është e pamundur të vendoset në vende që nuk kanë stabilitet politik. Këtë e pamë mirë gjatë viteve të fundit. Prandaj çdo premtim se do të bëhen çudira në të ardhmen dhe se gjithçka do të shkojë për mrekulli është premtim i kotë, sepse drejtësia nuk vendoset lehtë në vende që nuk janë politikisht stabile dhe që ende shërbejnë si kafshatë mashtruese në luftën mes gjigantëve.

Gjatë gjithë dekadave që kanë kaluar në këtë nënqiell drejtësia gjithmonë është sakfrifikuar në altarin e politikës dhe kjo do të jetë kështu edhe në të ardhmen, deri sa të mos qartësohet drejtimi i rrugës tonë. Në momentin kur të sigurohet ardhmëria evropiane e vendit, në atë moment do mund të fillojë vendosja e mirëfilltë e drejtësisë, nëse në krye do të kemi udhëheqës që këtë vërtetë e dëshirojnë. Në momentin kur ta kemi ndarë mendjen dhe me gjithë mend të jemi me perëndimin, atëherë nuk do të nevojiten kompromise të reja me ata që e kanë thyer ligjin.

Deri sa në skenën politike ka ende subjekte që janë kundër marrëveshjeve jetike për këtë shtet, kundër integrimit në BE dhe janë propagandues të daljes nga NATO, deri sa fuqia e tyre është ende e konsiderueshme forcat progresive të vendit do të duhet edhe shumë gjatë të pajtohen me faktin se kompromisi me drejtësinë është i mundshëm. Vetëm kur e ardhmja evropiane e shtetit do të sigurohet, atëherë do të krijohen kushtet e përshtatshme për vendosje të mirëfilltë të drejtësisë.

Sa më larg Evropës që do të jemi, aq më shumë veprime arbitrare të institucioneve do të shohim. Bile mund të ndodhë që edhe faljet e Ivanovit të duket si diçka e vogël në krahasim me veprime të tjera skandaloze që mund të priten nga ata që nuk duan progres por duan status quo, duan zonën e tyre të konforit ku gjithçka është e mundshme dhe ku asgjë nuk funksionon.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.