Presidentja Siljanovska – Davkova: Vrello u bë shpella më e thellë nënujore në botë
Pas ekspeditës ndërkombëtare që u zhvillua ditët e fundit në shpellën “Vrello” në kuadër të kanionit Matkë, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova ka pritur anëtarët pjesëmarrësit në zbulimin e fundit, transmeton Portalb.mk.
“E informuan për rrjedhën e ekspeditës dhe suksesin historik me të cilin shpella Vrello në kanionin Matka, me një thellësi të eksploruar prej 338 metrash, u bë shpella më e thellë nënujore në botë e eksploruar nga njeriu”, raportoi Presidenca e Maqedonisë së Veriut.
Presidentja priti anëtarët e Klubit Speleologjik të Zhytjes “Vrello”, të cilët e njoftuan për zbulimin e dy kanaleve dhe mbi 150 korridoreve të reja.
Ndryshe, rrugë e shkatërruar, kolonë veturash dhe mungesë e parkingjeve. Kështu i pret vizitorët Kanioni i Matkës, një nga destinacionet më të njohura turistike pranë Shkupit, ku natyra të lë pa fjalë, por infrastruktura të zhgënjen edhe më shumë. Për vite me radhë është premtuar zgjidhje, por në terren ende dominojnë gropat, kaosi dhe premtimet e parealizuara. Ndonëse kompetencat për infrastrukturën e kësaj zone i ka Komuna e Sarajit, ajo hesht, ndërsa Qyteti i Shkupit premton zgjidhje, por pa dhënë afate konkrete.
Kanioni i Matkës përveç se lokacion turistik, është edhe zonë me rëndësi natyrore dhe ekologjike për vendin. Që në vitin 1994, me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit, Kanioni i Matkës është shpallur Monument i Natyrës, me sipërfaqe prej rreth 5.442,80 hektarësh. Ky status e vendos Matkën ndër zonat e rëndësishme të trashëgimisë natyrore që kërkojnë mbrojtje dhe menaxhim të veçantë.
Më tej, në vitin 2009, Qeveria e atëhershme miratoi vendimin për pranueshmërinë e propozimit për rishpalljen e Kanionit të Matkës si zonë e mbrojtur në kategorinë “Monument i Natyrës”, në përputhje me sistemin e ri të kategorizimit të zonave të mbrojtura.
Në vitin 2023, Qeveria miratoi edhe projektligjin për shpalljen e Kanionit të Matkës si zonë e mbrojtur të Kategorisë III – Monument i Natyrës, me synim mbrojtjen e vlerave natyrore dhe biodiversitetit të kësaj hapësire dhe sigurimin menaxhimit të qëndrueshëm të saj.
- LEXO: Natyra magjepsëse me infrastrukturë të shkatërruar: Matka e zhytur në gropa, kaos dhe premtime të parealizuara (VIDEO)
- LEXO: Ligjet për Liqenin e Ohrit, Kanionin e Matkës dhe Studençishko Bllato kaluan në lexim të parë në Kuvend
- LEXO: Matka 20 vite pret mbrojtje, ligji është gati, por ka ngecur në Kuvend
- LEXO: Edhe pas akuzave të Prokurorisë, s’janë larguar plaformat ilegale në Matkë, Bexheti nuk ka kohë t’u përgjigjet gazetarëve