Natyra magjepsëse me infrastrukturë të shkatërruar: Matka e zhytur në gropa, kaos dhe premtime të parealizuara (VIDEO)
Rrugë e shkatërruar, kolonë veturash dhe mungesë e parkingjeve. Kështu i pret vizitorët Kanioni i Matkës, një nga destinacionet më të njohura turistike pranë Shkupit, ku natyra të lë pa fjalë, por infrastruktura të zhgënjen edhe më shumë. Për vite me radhë është premtuar zgjidhje, por në terren ende dominojnë gropat, kaosi dhe premtimet e parealizuara. Ndonëse kompetencat për infrastrukturën e kësaj zone i ka Komuna e Sarajit, ajo hesht, ndërsa Qyteti i Shkupit premton zgjidhje, por pa dhënë afate konkrete, shkruan Portalb.mk.
“Katastrofë”
Derisa ekipi i Portalb.mk ishte në terren për të parë gjendjen e rrugës, takuam një qytetar të revoltuar. Rrugën që të çon nga Saraji në Matkë ai e përshkroi si katastrofë.
“Rruga deri në Matkë është shumë problematike, katastrofë. Kjo gjendje e rrugës ka ndikuar në prishjen e veturave dhe na e vështirëson lëvizjen”, u shpreh ai.
Nga ajo që mund të shihet në terren, autoritetet kanë ndërhyrë në asfaltimin e disa gropave, por këto ndërhyrje të vogla nuk kanë mjaftuar për ta zgjidhur problemin me rrugën e shkatërruar. Banorët thonë se rruga e shkatërruar ndikon negativisht edhe te turistët.
“Shumë është problem për veturat, katastrofë është rruga. Çdo muaj veturën duhet ta dërgoj në servis. Një herë të vjen turisti dhe nuk vjen më. E sheh se çfarë rruge është dhe nuk kthehet më”, thotë ai.
Një tjetër banor kritikoi ish-kryetarin e komunës.
“Erdhi Blerim Bexheti këtu, tha se do ta rregullojë këtë rrugën në Matkë dhe nuk do të ketë më problem. I mori të hollat, shkoi në komunë, por rruga ka mbetur kështu, siç e shikoni. Veturat e kanë shumë problem të kalojnë këtu. Shikoni rrugën, është krejt e prishur”, tha ai.
Premtime po, punë në terren jo
Kryetari aktual i Sarajit, Muhamed Elmazi, i cili vjen nga radhët e VLEN-it, gjatë fushatës elektorale premtoi rikonstruimin e kësaj rruge, si dhe urbanizimin e kompleksit turistik në Matkë.
Premtimi qëndron në faqen 10 të programit zgjedhor të tij. Megjithatë, ai nuk u përgjigj në pyetjet e Portalbit se pse edhe pas një viti në krye të komunës, nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

Ndonëse Komuna e Sarajit ka kompetenca parësore për rrugët e brendshme lokale dhe rrugët e shërbimit në zonat rurale në territorin e saj, përfshirë rrugën nga Gllumova dhe drejt vetë Matkës, Portalb.mk iu drejtua edhe Qytetit të Shkupit për të pyetur nëse ka plan konkret për zgjidhjen e këtij problemi.
Nga aty thanë se parashikohet rehabilitimi i rrugës nga Saraji deri në Matkë, ndërsa po analizohet edhe mundësia për ndërtimin e parkingjeve të reja, mungesa e të cilëve përbën problem në vete, sidomos gjatë ditëve të vikendit.
“Qyteti i Shkupit parashikon rikonstruimin e rrugës nga Saraji deri në Matkë, ndërkohë që po bëhet analizë e mundësive për ndërtimin e vendeve të reja të parkimit dhe promovim shtesë të Matkës përmes përfshirjes së saj në hartën turistike të Shkupit”, thanë nga Qyteti i Shkupit për Portalb.mk.
Megjithatë, nga aty nuk treguan se cilat hapa konkret janë ndërmarrë deri më tani dhe kur pritet të fillojë realizimi i këtyre projekteve.
Edhe banorët e anketuar në Saraj presin zgjidhjen e problemit nga Qyteti i Shkupit.
“Për këtë gjendje është përgjegjës Qyteti i Shkupit, kështu na kanë thënë neve qytetarëve kur jemi interesuar te komuna e Sarajit” u shpreh një banor i Sarajit.
Qyteti i Shkupit përfshihet në rikonstruimin e rrugëve në Saraj, si nivel më i lartë, pasi bëhet fjalë për një komunë në kuadër të Shkupit. Kur në të kaluarën janë bërë rikonstruksione më të mëdha të rrugës kryesore nga Gllumova deri te pika ku rruga ndahet për Matkën e Epërme dhe Matkën e Poshtme, ato janë realizuar si projekte të përbashkëta, të financuara ose bashkëfinancuara nga Qyteti i Shkupit, përmes ndërmarrjes së tij publike NP „Rrugët dhe Rrugicat“.
Krahas kryetarit aktual të Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, edhe VMRO-DPMNE-ja, e cila tani udhëheq me pushtetin qendror, në fushatën për zgjedhjet e fundit lokale kishte premtime për Matkën.
Në faqen 5 të programit zgjedhor të kësaj partie për Sarajin, përveç rikonstruimit të rrugës drejt Matkës, premtohet edhe ndërtimi i një garazhi të montuar.

Ndryshe, Kanioni i Matkës përveç se lokacion turistik, është edhe zonë me rëndësi natyrore dhe ekologjike për vendin. Që në vitin 1994, me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit, Kanioni i Matkës është shpallur Monument i Natyrës, me sipërfaqe prej rreth 5.442,80 hektarësh. Ky status e vendos Matkën ndër zonat e rëndësishme të trashëgimisë natyrore që kërkojnë mbrojtje dhe menaxhim të veçantë.
Më tej, në vitin 2009, Qeveria e atëhershme miratoi vendimin për pranueshmërinë e propozimit për rishpalljen e Kanionit të Matkës si zonë e mbrojtur në kategorinë “Monument i Natyrës”, në përputhje me sistemin e ri të kategorizimit të zonave të mbrojtura.
Në vitin 2023, Qeveria miratoi edhe projektligjin për shpalljen e Kanionit të Matkës si zonë e mbrojtur të Kategorisë III – Monument i Natyrës, me synim mbrojtjen e vlerave natyrore dhe biodiversitetit të kësaj hapësire dhe sigurimin menaxhimit të qëndrueshëm të saj.
- LEXO: Ligjet për Liqenin e Ohrit, Kanionin e Matkës dhe Studençishko Bllato kaluan në lexim të parë në Kuvend
- LEXO: Matka 20 vite pret mbrojtje, ligji është gati, por ka ngecur në Kuvend
- LEXO: Edhe pas akuzave të Prokurorisë, s’janë larguar plaformat ilegale në Matkë, Bexheti nuk ka kohë t’u përgjigjet gazetarëve