Ankesa në lidhje me aparatet fingerprint gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Bërvenicë
Sot në Bërvenicë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, ku në garë janë gjashtë kandidatë. Gjatë realizimit të procesit, janë paraqitur edhe ankesa në lidhje me përdorimi ne aparateve fingerprint, transmeton Portalb.mk.
“Deri më tani kemi pasur ankesa, të gjithë kanë qenë në listën zgjedhore, por aparati nuk i ka lexuar. Të gjitha i kemi paraqitur në KSHZ”, deklaroi Nedime Sallai, kryetare e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Sallai sqaroi se kur nuk i lexon aparati, por janë në listën zgjedhore, atëherë qytetarët do të mund të votojnë.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, këtë javë tha se është gjetur një zgjidhje e përkohshme për Brvenicën pavarësisht kontratës së skaduar me “Dermalog” rreth aparateve fingerprint.
Në Komunën e Bërvenicës sot mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarin e ri të komunës, kjo pasi në qershor ndërroi jetë kryetari i komunës, Jovica Ilievski. 16.256 qytetarë kanë të drejtë vote në 24 vendvotime. Në rrethin e parë garojnë 6 kandidatë, 4 nga partitë politike dhe 2 të pavarur. Më poshtë i gjeni të gjitha zhvillimet e ditës.