Në mungesë të urës mbi lumin e Kumanovës, banorët improvizojnë kalim të pasigurt mbi dërrasa (Video)

Një urë e improvizuar me dërrasa dhe pjesë çeliku lidh dy anët e qytetit të cilat ndahen nga lumi i Kumanovës në afërsi të Lagjes “Sredorek”. Atë e kanë ndërtuar vetë disa banorë, sepse në atë pjesë të qytetit mungon ura për këmbësorët. Banorët kërkojnë që komuna të ndërtojë urë dhe të pastrojë shtratin e lumit, por nga komuna heshtin për këto probleme, shkruan Portalb.mk.

Kjo urë e improvizuar, e vendosur mbi lumin e qytetit, është bërë alternativë për banorët kalojnë përtej tij, në mungesë të infrastrukturës së përshtatshme.

Për banorët që duan ta shmangin kalimin mbi dërrasa, rruga deri te ura tjetër është më e gjatë.

Një banor që e përdor urën e improvizuar thotë se çdo kalim mbi të bart edhe rrezik.

“Jemi të detyruar të kalojmë nëpër këtë urë, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. E kemi improvizuar vetë me dërrasa, por nuk është aspak e sigurt. Çdo herë që kalojmë, ekziston rreziku të rrëshqasim ose të biem në lum ose të sillemi në anën tjetër për të kaluar te një urë tjetër. Komuna duhet të gjejë një zgjidhje, sepse kjo nuk është mënyrë normale për të kaluar”, u shpreh ai.

Krahas urës së sigurt, banorët kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë edhe për mbeturinat që shihen në shtratin e lumit.

“Përveçse nuk kemi ura të rregulluara, përballemi edhe me ndotjen e lumit. Kërkojmë që institucionet të ndërhyjnë dhe të mos na lënë të jetojmë në këto kushte”, tha një qytetar tjetër.

Portalb.mk e pyeti Komunën e Kumanovës për këto probleme por deri në publikimin e këtij teksti, komuna nuk dha përgjigje.

Kujtojmë që Portalb.mk ka raportuar edhe më herët për mbeturinat e grumbulluara në shtratin e lumit të Kumanovës dhe mungesën e mirëmbajtjes së rregullt. Banorët e intervistuar kanë kërkuar që komuna ta pastrojë lumin rregullisht dhe të shtojë kontrollet për të parandaluar hedhjen e mbeturinave.