KSHZ i ngatërroi shifrat për Bërvenicën, e pranuan gabimin pas reagimeve të Portalb

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka bërë një gabim gjatë leximit të të dhënave për daljen e votuesve në vendvotime deri në orën 09:00 për Komunën e Bërvenicës. Pas reagimit dhe pyetjeve të dërguara nga redaksia e Portalb.mk, nga KSHZ e pranuan lëshimin, duke sqaruar se ka ndodhur një permutacion me shifrat e rrethit të dytë.

Gjatë konferencës së rregullt për shtyp të mbajtur në orën 09:00, përfaqësuesit e KSHZ-së deklaruan se dalja e qytetarëve në Komunën e Bërvenicës deri në atë moment ishte 5,33%.

Megjithatë, në faqen zyrtare të KSHZ-së për monitorimin e rezultateve dhe daljes në kohë reale, përqindja e regjistruar për këtë komunë shënonte vetëm 2,45%.

Për shkak të këtij mospërputhjeje thelbësore mes deklaratës para mediave dhe platformës zyrtare, redaksia kërkoi sqarim zyrtar nga KSHZ-ja se nga buronin këto shifra dhe nëse bëhej fjalë për gabim teknik të sistemit apo lëshim njerëzor gjatë leximit.

Në përgjigjen me shkrim dërguar Portalb-it, KSHZ pranoi se e dhëna e lexuar në konferencë ishte ngaterruar.

“Ju falënderojmë për vërejtjen. E dhëna e saktë për daljen në orën 09:00 në zgjedhjet e vitit 2025 është 2.45%. E dhëna e theksuar prej 5.33% është nga rrethi i dytë i zgjedhjeve, pra është bërë një permutacion (ngatërrim) i të dhënave. Gjithsesi, trendi i daljes shënon rritje sipas të dhënave të fundit të orës 13:00”, thuhet në përgjigjen zyrtare të KSHZ-së.

Pra, nga dalja e orës 9 ka pasur rritje minimale të daljes prej 0,01% dhe jo ulje prej 2,87 %.

Zgjedhjet Bërvenicë, dalja në orën 09

Informimi i saktë mbi daljen e votuesve në orët e para të mëngjesit mbetet kyç për vlerësimin e dinamikës së procesit zgjedhor, ndërsa transparenca e institucioneve zgjedhore ndikon drejtpërdrejt në besueshmërinë e rezultateve të paraqitura para opinionit publik.