Pacientët në RMV paguajnë për shërbime të mbuluara nga sigurimi, Fondi paralajmëroi kontrolle

Fondi për Sigurim Shëndetësor sot paralajmëroi kontrolle të shtuara në institucionet shëndetësore, me qëllim parandalimin e pagesave nga pacientët për shërbimet shëndetësore që tashmë mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, transmeton Portalb.mk.

Nga Fondi informojnë se kontrollet do të përqendrohen në verifikimin e pagesave dhe respektimin e detyrimeve kontraktuale nga ana e institucioneve shëndetësore me të cilat kanë lidhur kontratë.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet rasteve kur për të njëjtin shërbim shëndetësor paguhen mjete si nga Fondi, ashtu edhe nga pacienti, si dhe përputhshmërisë ndërmjet shërbimeve të kryera dhe atyre të faturuara, si dhe shumave që u kërkohen personave të siguruar.

“Për shërbimet shëndetësore që mbulohen nga Fondi, në institucionet shëndetësore me të cilat ka lidhur kontratë, personat e siguruar nuk kanë detyrim të paguajnë shuma shtesë, përveç pjesëmarrjes së përcaktuar me ligj nga mjetet personale (participimit), nëse për shërbimin konkret parashihet një pjesëmarrje e tillë. Kjo vlen për shërbimet shëndetësore të përfshira në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor, në përputhje me të drejtat dhe kushtet e përcaktuara për realizimin e tyre”, rikujtojnë nga Fondi.

Institucionet shëndetësore janë të detyruara që në një vend të dukshëm dhe lehtësisht të qasshëm t’i afishojnë informacionet për lartësinë e participimit, ndërsa për çdo pagesë të kryer të lëshojnë dëshminë përkatëse të paraparë me ligj, thuhet në njoftim.

Nëse konstatohen parregullsi, Fondi paralajmëron marrjen e masave përkatëse në kuadër të kompetencave të tij. Personat e siguruar që kanë informacione për pagesa të pabazuara për shërbimet shëndetësore mund të paraqesin denoncim në Sektorin për Kontroll të Fondit.

Në prill të këtij viti, shoqata HERA njoftoi se “80% e grave kanë paguar për shërbime gjinekologjike që duhet të jenë falas.