Poliklinika e Sarajit është gati, por s’mund të lëshohet pasi s’ka para për staf mjekësor

Poliklinika e Sarajit ka probleme teknike dhe nuk është plotësuar numri i kuadrit të nevojshëm shëndetësorë pasi që Ministria e Financave nuk planifikuar mjete. Këto janë arsyet pse ky institucion shëndetësor, ende nuk është lëshuar në përdorim. 26 punonjës vetëm se janë punësuar dhe presin që atyre t’u bashkëngjiten edhe 26 të tjerë nga konkursi i ardhshëm, i cili nuk dihet se kur do të shpallet, shkruan Portalb.mk.

Poliklinika e Sarajit është paraparë të jetë pjesë e Qendrës Shëndetësore të Shkupit dhe u është premtuar banorëve të Sarajit prej vitit 2018, por edhe pse ndërtimet kanë mbaruar ende nuk është vënë në funksion. Ky spital është duhet të ketë ambulantë ditore, stomatologji, pediatri, laboratori, dhomë rentgeni dhe farmaci që do ju shërbejë pothuajse 40 mijë banorëve të Sarajit, të cilët me vite detyrohen që të marrin shërbime shëndetësore në klinika private ose në poliklinikën më të afërt që është në Komunën e Gjorçe Petrovit.

Në një konferencë me mediat, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti i pyetur nga gazetarët në lidhje me atë se përse ende nuk është vënë në funksion spitali i Sarajit tha se ka probleme teknike në ndërtim, por gjithashtu edhe se Ministria e Financave ka dhënë pëlqim vetëm për 26 punonjës shëndetësor dhe se për një kohë të shkurtës do të vihet në funksion spitali. Më pas do të ketë edhe një konkurs për 26 punonjës tjerë shëndetësor dhe do të përmbushet numri i kuadrit punues që një spital të funksionojë siç duhet.

“Poliklinika e Sarajit ka pasur disa probleme teknike me ndërtimet, siç jam i informuar, gjithsesi e dini se çdo punësim në një Ministri të Shëndetësisë për punonjës shëndetësor duhet pëlqim të merret prej Ministrisë të Financave. Numri ishte diku 52 për të funksionuar totalisht, komplet të funksionon të jetë në shërbim të qytetarëve spitalit i Sarajit. Kështu që për momentin jemi marrë vesh me Ministrinë e Financave edhe faktikisht kanë mbaruar 26 punësime fillimisht dhe për një kohë të shkurtër do të fillojë me punë spitali i Sarajit. Pastaj do të punësojmë edhe do të ketë konkurs edhe për 26 punonjës shëndetësor edhe komplet do të vihet në shërbim spitali i Sarajit. Mungesë të stafit ka për moment sepse nuk ka filluar spitali i ri, por ka të paraqitur. E kemi ndarë në dy pjesë, që pëlqimet nga Ministria e Financave për momentin mund të mbulojnë vetëm 26 punonjës shëndetësor, por për një kohë shumë të shkurtër do të shpallim konkurs edhe për 26 të tjerë edhe kështu që do të kompletohet i gjithë kuadri me punonjës shëndetësor që spitali të vihet në funksion, të japë shërbime shëndetësorë”, tha ministri Mexhiti.

Mirëpo të njëjtën deklaratë ministri e ka dhënë edhe në gusht të këtij viti, ku ai ka theksuar se Poliklinika e Sarajit do të hapet në fund të muajit gusht. Asokohe ai deklaroi se Ministria e Financave nuk ka planifikuar buxhet për të punësuar së paku 52 punonjës siç edhe kërkohet për një spital.

Sa i përket asaj se kur do të vendoset në funksion ky spitali, ministri Mexhiti, tani nuk dha datë të saktë për arsye se siç tha “nuk dëshiron të spekulojë”, por theksoi se do të jetë për një kohë shumë të shkurtër.

Në shkurt të vitit 2019 është prezantuar projekti për ndërtimin e poliklinikës së Sarajit dhe atëherë Ministria e Shëndetësisë ndau 40 milionë denarë nga buxheti dhe që atëherë ishte premtuar se në verën e vitit 2019 do të fillonin ndërtimet.

Ndërtimi i spitalit ishte paraparë të mbarojë në shkurt të vitit 2022, por punimet në terren e kanë zgjatur deri në shtator ku pastaj është pritur nga Ministria e Shëndetësisë të bëjë furnizim me mjete.

Në maj të vitit 2023 edhe pse objekti ka qenë i përfunduar serish ndërtime ka pasur përreth oborrit dhe hapësirës së poliklinikës. Dhe për TV 21, Mexhiti ka thënë se spitali i Sarajit është kah përfundimi, do të pajiset me mjete edhe së shpejti do të lëshohet në përdorim.