Javën e ardhshme do të publikohet lista e 26 të punësuarve në Poliklinikën e Sarajit, këtë muaj pritet të vendoset në funksion

Që të vendoset Poliklinika e Sarajit në funksion sipas Ministrisë së  Shëndetësisë, është e nevojshme që të ketë të paktën 26 punonjës nga gjithsej 52/54. Konkursi për punësim të 26 personave të parë në Poliklinikën e Sarajit është kah fundi dhe javën e ardhshme pritet të publikohet lista e personave të punësuar. Ndërkaq, poliklinika pritet të vendoset në funksion brenda muajit dhjetor, shkruan Portalb.mk.

Poliklinika e Sarajit është paraparë të jetë pjesë e Qendrës Shëndetësore të Shkupit dhe u është premtuar banorëve të Sarajit prej vitit 2018. Ky spital duhet të ketë ambulantë ditore, stomatologji, pediatri, laboratori, dhomë rentgeni dhe farmaci që do ju shërbejë pothuajse 40 mijë banorëve të Sarajit.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Shkup, Vullnet Selimi për Portalb.mk gjatë kësaj jave tha se në 10 ditët e ardhshme do të publikohet lista e 26 personave të parë të punësuar në Poliklinikën e Sarajit.

“Konkursi është kah fundi, ka pasur shpallje publike për 26 persona. Tash jemi në procesin e vlerësimit të kandidatëve dhe në qoftë se nuk ka ankesa, për maksimum 10 ditë do të publikohet lista e kandidatëve të pranuar”, tha Selimi më 27 nëntor.

Meqenëse me punësimin e 26 personave plotësohen kriteret që të vendoset në funksion poliklinika, drejtori informoi se Poliklinika e Sarajit do të vendoset në funksion në muajin dhjetor të këtij viti.

Ministri i Shëndetësisë më 2 nëntor të këtij viti informoi se që të plotësohen kriteret që poliklinika të vendoset në funksion duhen diku 52 të punësuar dhe se Ministria e Financave kishte dhënë pëlqim vetëm për 26 punonjës.

Më 24 nëntor, Ministria e Shëndetësisë dhe e Financave për Portalb.mk i konfirmuan 26 punësimet në Poliklinikën e Sarajit dhe se pritej që Shtëpia e Shëndetësisë të zbatojë procedurën e punësimit.

Përndryshe, në shkurt të vitit 2019 është prezantuar projekti për ndërtimin e poliklinikës së Sarajit dhe atëherë Ministria e Shëndetësisë ndau 40 milionë denarë nga buxheti dhe që atëherë ishte premtuar se në verën e vitit 2019 do të fillonin ndërtimet.

Ndërtimi i spitalit ishte paraparë të mbarojë në shkurt të vitit 2022, por punimet në terren e kanë zgjatur deri në shtator ku pastaj është pritur nga Ministria e Shëndetësisë të bëjë furnizim me mjete.

Në maj të vitit 2023 edhe pse objekti ka qenë i përfunduar serish ndërtime ka pasur përreth oborrit dhe hapësirës së poliklinikës. Dhe për TV 21, Mexhiti ka thënë se spitali i Sarajit është kah përfundimi, do të pajiset me mjete edhe së shpejti do të lëshohet në përdorim.