Ministria e Financave ka siguruar mjete për punësime në Poliklinikën e Sarajit, pritet të hapet konkursi

Ministria e Financave së Maqedonisë së Veriut i ka siguruar mjetet për 26 punësimet për në Poliklinikën e Sarajit dhe tashmë pritet që Shtëpia e Shëndetit në Shkup të hapë shpallje publike dhe të vendoset në funksion Poliklinika e Sarajit, shkruan Portalb.mk

Ndërtimet në Poliklinikën e Sarajit kanë mbaruar, mirëpo sipas Ministrisë së Shëndetësisë ajo nuk mundej të vendosej në funksion për shkak se Ministria e Financave nuk i kishte miratuar punësimet.

Ministria e Financave për Portalb.mk informoi se ministria ka siguruar mjete për punësimin e 26 personave në Poliklinikën e Sarajit.

“Ju njoftojmë se Ministria e Financave në afatin e përcaktuar ligjor i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së parashtruar për punësim të personave në Poliklinikën në Saraj. Përkatësisht, Ministria e Financave njofton se në kërkesën e dorëzuar në lidhje me atë nëse janë siguruar mjete për shfrytëzuesit për realizimin e punësimeve të reja”, informuan nga Ministria e Financave.

Sigurimin e mjeteve, për Portalb.mk e konfirmoi edhe Ministria e Shëndetësisë e cila tha se miratimet për 26 punonjës janë dorëzuar te Shtëpia e Shëndetit – Shkup dhe pritet që i njëjti të hapë shpallje publike për  punësim.

“Është marrë miratim për 26 punonjës nga Ministria e Financave. Miratimet janë dorëzuar te Shtëpi e Shëndetit – Shkup dhe pritet tashmë që institucioni në përputhje me Ligjin për kujdes shëndetësor të zbatojë procedurën e punësimit”, informoi Ministria e Shëndetësisë.

Portalb.mk ka parashtruar pyetje te Shtëpia e Shëndetit në lidhje me atë se kur pritet të hapet konkursi për punësim por deri në publikimi e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti më 2 nëntor në një konferencë për media tha se arsyeja se përse ende nuk është vënë në funksion Poliklinika e Sarajit tha se ka probleme teknike në ndërtim, por gjithashtu edhe se Ministria e Financave ka dhënë pëlqim vetëm për 26 punonjës shëndetësor dhe se për një kohë të shkurtës do të vihet në funksion spitali. Më pas do të ketë edhe një konkurs për 26 punonjës tjerë shëndetësor dhe do të përmbushet numri i kuadrit punues që një spital të funksionojë siç duhet.

Poliklinika e Sarajit është paraparë të jetë pjesë e Qendrës Shëndetësore të Shkupit dhe u është premtuar banorëve të Sarajit prej vitit 2018, por edhe pse ndërtimet kanë mbaruar ende nuk është vënë në funksion. Ky spital është duhet të ketë ambulantë ditore, stomatologji, pediatri, laboratori, dhomë rentgeni dhe farmaci që do ju shërbejë pothuajse 40 mijë banorëve të Sarajit, të cilët me vite detyrohen që të marrin shërbime shëndetësore në klinika private ose në poliklinikën më të afërt që është në Komunën e Gjorçe Petrovit.