Policia paralajmëroi “merimanga” për veturat që parkohen keq në Kodrën e Diellit

Udhëheqësit e lokaleve gastronomike në Kodrën e Diellit janë takuar me punonjësit e policisë në Tetovë për të diskutuar rreth planit për rregullimin e komunikacionit. Ata paralajmëruan edhe shërbimin e merimangës për veturat e parkuara keq, transmeton Portalb.mk.

“SPB Tetovë i njofton qytetarët se do të angazhohet edhe shërbimet ‘merimangë’ në Tetovë dhe në Gostivar çdo herë kur një automjet do të pengojë qarkullimin, përkatësisht do të tërhiqet dhe do të sanksionohet ligjërisht”, raportoi Policia.

Ata fajësojnë edhe shoferët e papërgjegjshëm në Mavrovë dhe Kodrën e Diellit për bllokimin e qarkullimit dhe mospastrimin e rrugëve.

Ndryshe, pamja e parë që i pret vizitorët në Kodrën e Diellit edhe këtë sezon dimëror nuk është bora apo pistat e skijimit, por grumbuj mbeturinash në hyrje të qendrës turistike. Qytetarë dhe turistë ankohen se kjo gjendje përsëritet çdo vit, pa përmirësime konkrete, ndërsa institucionet si zakonisht arsyetohen.

Sezoni i ri i skijimit në Kodrën e Diellit filloi më 11 janar, pa ndonjë organizim të veçantë të hapjes siç bëhej viteve të kaluara, këtë vit janë rritur çmimet e ski-biletave ditore dhe sezonale.

Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.

Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.

Pavarësisht se autoritetet me vite paralajmërojnë investime të huaja milionëshe, ende nuk ka asnjë marrëveshje dhe asgjë konkrete në terren.