Mickoski foli për ndërtimet pa leje dhe investimet e reja në Kodrën e Diellit
-Mendoj se jemi në rrugë të mirë, të mos them jam i sigurt! Bëhet fjalë për investitorë shumë seriozë, tha kryeministri Hristijan Mickoski në Kodër të Diellit, nga ku paralajmëroi se si qeveri janë afër marrëveshjes me investitorë të huaj, të cilët pritet ta shndërrojnë Kodrën e Diellit në një nga destinacionet më të kërkuara dimërore në Evropë, përcjell TV21.
“Kemi për qëllim që në afat të shkurtër të sjellim investitor që do të investojë, bashkë me shtetin, kuptohet. Dhe do ta bëjë atë që për të gjithë ne paraqet ëndërr dhe qëllim, që Kodra e Diellit të bëhet qendra më e bukur dimërore në këtë pjesë të Evropës. Që do të jetojë 365 ditë në vit, e jo vetëm disa muaj gjatë sezonit dimëror. Kodra e Diellit, sipas mundësive që ofron, nëse krahasohet me qendrat më të mira të turizmit dimëror në alpe, ka për 10 km më shumë mundësi për ndërtim të shtigjeve për skijim. Nga Aeroporti Ndërkombëtar, për 45 minuta, ju jeni me këpucë të skive në shtigje. Disa muaj në dimër kemi borë natyrale”, deklaroi Mickoski.
Sa i përket ndërtimeve pa leje në këtë qendër skijimi, Mickoski tha se nuk do të sjellin ligj për legalizimin e të njëjtave.
“Nëse flisni për ndërtimet e egra, dhe nëse mendoni për ligj për legalizim të ndërtimeve pa leje, aso qëllime nuk kemi, as nuk planifikojmë që të mendojmë në atë drejtim. Atë që mund të them është që ndërtimet pa leje të mos bëhen, për shkak se shteti ka mekanizma për ta parandaluar këtë”, shtoi Mickoski.
‘TechnoAlpin’ më 19 dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove.
Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja.
Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.
Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.